Edhe pse jemi mësuar të shohim në shumicën e kohës meshkujt në zhanrin e muzikës Hip - Hop, të cilët rivalizohen me njëri-tjetrin, kohëve të fundit vëmendjen më të madhe e kanë marrë femrat.
Kemi vënë re se sidomos nga estrada kosovare artiste si Tayna, Rina, Melinda dhe të tjerë kanë shkëmbyer shpesh “thumba” me njëra-tjetrën këto kohë.
Rivaliteti më i madh është vënë re midis Taynës dhe Rinës, të cilat pretendohet se kanë plot kunja për njëra-tjetrën në këngët e tyre.
Por, Rina ka preferuar të thyejë akullin.
Ajo ishte e ftuara speciale në emisionin “Rudina” dhe aty tregoi se si qëndron e vërteta e “diss-eve” mes saj dhe Taynas.
Rina tha se Taynan nuk e ka takuar asnjëherë dhe se e gjithë kjo është një farsë e krijuar nga fansat e tyre dhe mediat.
Po përsa i përket teksteve, që vështirë të jenë rastësi?
“Në fillim kanë qenë rastësi. Pastaj kanë filluar gjërat të bëhen pak më intensive, pa asnjë arsye. Pasi as unë nuk e njoh Taynën, as ajo mua, thjesht e dimë që jemi artiste të Kosovës. Pastaj mendova nuk është thjesht lojë, diçka e paskan me mua, diku qenka problemi. Dhe unë postova këngën “Ilegal” dhe aty fola çfarë pata me fol dhe e përfundova gjithçka nga ana e disseve. Ato prapë kanë vazhduar, por unë s’po merrem më,po merrem vetëm me të ardhmen time.”
Pra, Rina pranon se “Ilegal” është një diss, por nga ana e saj, nuk pritet të vazhdojë kjo “luftë” mes reperesh.
Më pas Rina zbuloi se shumë shpejt do të publikojë një projekt të ri, këtë herë në bashkëpunim me një artist francez, që nuk është shumë i njohur. Kujtojmë se së fundmi reperja ka hedhur në treg një duet me Adelina Ismailin, “Qikat”, që u prit mjaft mirë nga publiku.