Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka komentuar sulmet e opozitës rreth të shkuarës së tij gjatë diktaturës si dhe fotografinë përkrah Enver Hoxhës.
I ftuar në emisionin “Tonight” të gazetares Ilva Tare, Xhafaj ka mohuar në mënyrë kategorike që gjatë punës si hetues të ketë hetuar apo gjykuar ndonjë çështje të karakterit politik.
‘E kaluara në komunizëm. Nuk ka ndonjëgjë të veçantë. Kur është ndryshuar sistemi unë kam qenë vetëm 30 vjeç. Kam qenë jurist, kam punuar për disa kohë gjyqtar dhe më pas, për pak kohë hetues, por jo hetues siç mundohen ta kategorizojnë tani.
E di që ka patur disa akuza nëse kam hetuar çështje të karakterit politik, por po e them sërish, në mënyrë kategorike nuk kam hetuar apo gjykuar një çështje të natyrës politike. Për këtë jam shumë i qetë dhe i pastër se edhe vetë koha ka qenë shumë e shkurtër”, u shpreh Xhafaj.
I pyetur për fotografinë me Enver Hoxhën, Xhafaj tha se ajo i përket të shkuarës madje ndonjëherë argëtohet duke e parë.
“Nuk kam ndonjë...është thjeshtë një kujtim i së shkuarës. Bëjnë pjesë në arkivin e jetës time asgjë më shumë. Argëtohem ndonjëherë, shoh veten si kam qenë”, tha Xhafaj.
Ministri i Brendshëm, ka deklaruar gjithashtu se po harton një dokument strategjik me 10 prioritete kryesore.
Sipas tij, deri më tani ai ka preferuar të mos e bëjë publik këtë dokument, ndërsa thotë se ka zhvilluar takime me prokurorë të ndryshëm dhe punonjës policie të të gjitha shtresave.
“Nëse do ta përmblidhja në një fjali: zbatim i fortë i ligjit dhe shërbim ndaj qytetarit. Kam punuar gjatë gjithë kësaj kohe me bashkëpunëtorët e mi për përgatitjen e një dokumenti strategjik me 10 prioritete kyçe ku do të përqendrohen detyra ime. Një dokument politikash në lidhje me prioritetet, objektivat dhe politikat. Për të shkuar tek ky dokument, i cili mund të them se është një draft i konturuar mirë, por është ende në proces, për t’u shoqëruar me një plan veprimi dhe masat konkrete, indikatorët, përgjegjësitë, afatet dhe pritshmëritë”, ka pohuar ministri i Brendshëm Fatmir Xhafa.