Një tjetër rast i abuzimit seksual ndaj të miturve është shënuar në Maliq. Sipas të dhënave të policisë një 36 vjeçar ka abuzuar seksualisht me vajzën e tij vetëm 5 vjeçare, ndërsa ushtronte dhunë ndaj bashkëshortes së tij. Mësohet se 36 vjeçari Pandi Sh. nga Maliqi është ndaluar nga policia pasi dyshohet se kryente vepra të turpshme ndaj vajzës së tij të mitur dhe ushtronte dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes.
Specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Maliq, bënë ndalimin e shtetasit Pandi. Sh, 36 vjeç, banues në njësinë administrative Pirg, arrestim i cili ka ardhur pas denoncimit të bashkëshortes së tij.
Njoftimi i Policisë:
“Ndalimi i tij u bë në bazë të urdhërit të Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë, si edhe pas kallëzimit të bërë më datë 04.07.2017 nga bashkëshortja e tij, e cila ka deklaruar se shtetasi i mësipërm ka kryer në mënyrë të përsëritur vepra të turpshme ndaj vajzës së tij të mitur 5-vjeçare. Gjithashtu dyshohet se 36 vjeçari, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj bashkëshortes së tij”.
Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale : “Vepra të turpshme” dhe “Dhuna në familje” parashikuar nga nenet 108/1 dhe 130/a/3 të Kodit Penal.