Një vajzë 14 vjeçare është bërë viktima më e fundit e lojës sfiduese në internet të quajtur “Balena blu”, teksa është hedhur nga një ndërtesë tetëkatëshe në Rusi. Hetuesit rusë po ekzaminojnë nëse vetëvrasja e kësaj adoleshenteje ka të bëjë me grupin vdekjeprurës të internetit, që “shigjeton” fëmijët e pambrojtur dhe naivë.
E reja, e cila përdori emrin Angelina Bessmertnaya për të luajtur në internet, u hodh nga kati i tetë i një apartamenti në Nizhny Novgorod, në Rusinë perëndimore. Trupi i saj u gjet në dëborë rreth orës 8 të mëngjesit të së martës, kur banorët vendas po shkonin në punë.
Nxënësja nuk jetonte në bllokun e banesës nga ku u hodh dhe detektivët po hetojnë nëse ajo ishte e vetme ose me dikë tjetër kur gjeti vdekjen. Ndërkohë, miqtë e saj thonë se ajo luajti lojën online të ‘vetëvrasjes’ në këtë godinë. Shqetësimet u ngritën nga një vajzë me emrin Alina, sipas gazetës Komsomolskaya Pravda. “Isha shoqe me të gjatë gjithë vitit të kaluar”, u citua të thoshte ajo.
“Ne shkuam për shëtitje në verë, por ajo kishte luajtur Balenën blu për një kohë të gjatë dhe ishte në “grupin e vdekjes”, rrëfeu shoqja e viktimës.
Ditën kur ajo u hodh nga pallati, grafiti të reja u shfaqën në një mur aty pranë, ku shkruhej: “Unë ju vlerësova më shumë se jeta, por ju nuk e bëtë”. Alina gjithashtu tha se vajza kishte ‘ndjenja shumë të forta’ për një djalë që jetonte në Arktikun rus.
“Ajo po vuante shumë për shkak të tij”, tha ajo.