Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në lagjen “Vuliagmeni” në Athinë, ku një person është djegur i gjallë brenda makinës.
Policia greke thotë se viktima është një shqiptar 50-vjeçar, megjithëse kufoma është djegur tërësisht dhe nuk mund të përcaktohej nëse është grua apo burrë.
Hetuesit grekë thonë se targat e makinës së djegur i përkasin pikërisht një shqiptari 50-vjeçar që mendohet të jetë viktima, ndërsa identitetin e tij nuk e kanë bërë me dije. Automjeti shpërtheu në flakë pak para orës 10:00 pranë portit sipas orës lokale, dhe kur zjarrfikësit mbërritën në vendngjarje u përballën me një pamje të tmerrshme, shkruan tv klan. Makina tip Citroen ishte djegur tërësisht, po kështu edhe viktima që ndodhej në sediljen e shoferit.
Hetimet paraprake kanë treguar se zjarri nisi nga brenda automjetit, kurse shkaqet janë ende të paqarta. Nga ana tjetër, Policia e Athinës ka nisur hetimet për ngjarjen dhe ka lënë të hapura të gjitha pistat.