Një skuadër thjesht perfekte dhe pikërisht për këtë arsye investuan kaq shumë në merkato. Juventusi mund të quhet “Mbreti” i Europës, në pritje të sfidës me Napolin. Duke parë udhëtimin që kanë bërë në këtë fillimsezoni, bardhezinjtë janë e vetmja skuadër në kontinentin e vjetër, që ka mundur të fitojë të gjitha ndeshjet e luajtura, konkretisht 6 në kampionat dhe atë në Champions me Valencian.
Nëse shohim rivalet e saj më të forta në Europë, në Spanjë, Barça është ndalur në mesjavë nga Leganes (më parë në barazim edhe nga Girona, ndërsa ka mundur në Champions PSV-në) dhe Reali i Madridit gjithashtu nga Sevilla (barazim edhe ndaj Bilbaos, ndërsa ka fituar në Champions me Romën). Në Gjermani, Bayerni gjithashtu është ndalur, këtë mesjavë nga Augsburgu, ndonëse fitoi Superkupën e Gjermanisë me Frankfurtin dhe debutimin në Champions me Benfikën.
Në Francë, PSG-ja ka fituar gjithçka në kampionat dhe Superkupën, por në Europë u mposht nga Liverpooli. Dhe pikërisht të kuqtë, që dukeshin perfekt me 6 fitore në Premier Ligë dhe në Champions, e panë veten që të mposhteshin në Kupën e Ligës nga Chelsea, mbrëmjen e së mërkurës.