INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Edhe ti je menaxher? Mos me thuaj!

Edhe ti je menaxher? Mos me thuaj!

Publikuar më: 16:41 12-04-2018

Nga Dafne Bajraktari

Në vendin tonë papunësia është një ndër problemet kryesore. Nëse do të veçonim Tiranën, për moshat e reja nga eksperienca personale, mund të them se punë ka gjithmonë.

Problemi kryesor qëndron tek imazhi që këta të rinj kanë krijuar për veten dhe standartet që kanë.

Si mund të kesh standarte pa asnjë muaj eksperiencë pune mbi supe?

Çdokush ka nisur nga një pikë ZH, kush ka patur fatin e madh ka nisur edhe nga një pikë M apo C. Të gjithë i njohin rastet e famshme të cilët kanë nisur si dështime për të ngelur pjesë e historisë më vonë.

Marrim si shembull The Beatles, Albert Einstein, Walt Disney, Vincent van Gogh, Taylor Swift, J. K. Rowling, Elvis Presley, etj.

Por jo, në Shqipëri na pëlqen të kalojmë nga banka e shkollës direkte në lajmet më të klikuara të portaleve online.

Jo rrallë ndodh që të takoj njerëz dhe kur i pyes për punën që kanë, më thonë lloj lloj titujsh të cilët as nuk ja dinë kuptimin dhe nuk kanë lidhje me atë çfarë bëjnë në të vërtetë, pasi jetojnë në në botën e bukur të vetëmohimit. Thjeshtë ju duket se ky titull ju jep sadopak rëndësi në sy të të tjerve.

Le të fillojmë me rastet më të rëndomta;

MENAXHER

Shpjegim i termit menaxher: Një person përgjegjës për kontrollin ose administrimin e një organizimi ose stafi.

Kush e përdor si titull: Një kamarier/Hostess/PR i cili menaxheri i lokalit e ka pak me sy më të mirë se të tjerët (zakonisht në saje të simptomës së kërmillitt aka lëpirjes deri në majë), një agjent shitjesh i cili pretendon se është në fakt menaxher i shitjeve duke mos e ditur fare hendekun e thellë që këto dy pozicione kanë në mes. Më thuaj more djalë, çfarë po menaxhon? Kush është stafi jot që t’i po iluminon me aftësitë e tua prej lideri?

BLOGGER

Shpjegim i termit blogger: Një person i cili në mënyrë të rregullt shkruan material për një blog.

Kush e përdor si titull: Teorikisht, këtu jemi në rregull. Por më duhet ta nis duke thënë; A është blogging në fakt një punë nëse nuk paguhesh për këtë gjë? Jo për gjë, por po e hap edhe unë një blog dhe po shkruaj për pazaret që bëra sot në supermarket, për dhimbjen që përjetoj çdo ditë kur marr autobuzin e Vorës për të shkuar në punë, për debatin që bëra me komshien time Hamidenë sepse s’kisha hapur pompën, etj. Shumë bukur, kontent ka gjithmonë. Por kujt i hyri në xhep në fund të ditës për sa kohë ky blog nuk po më ushqen?

Lërë që sot të gjithë janë blogger-a. Shumë pak emra mund të përmenden në Tiranë, të cilët me të vërtetë kanë influencë te masa dhe ndiqen rregullisht. Pjesa tjetër janë një tufë me 15 vjeçare deluzionale (mund të jenë edhe më të mëdha por ngelen 15 vjeç) të cilat mendojnë se duke kombinuar tre ngjyra bashkë po bëjnë revolucion dhe duhet ta manifestojnë këtë fakt me 50 fotografi të cilat janë aq të ngjashme sa mund të bëja një lojë; “Gjej Ndryshimin”, e cila do të ishte kushedi sa herë më e suksesshme se sa blogu i tyre. Mos të flasim për kontentin e shkruar i cili është inekzistent shumicën e rasteve. Ama kur është, mund të përbëhet nga dy rreshta të tipit: “Përshendetje yje si ja kaluat sot? Unë isha në TEG dhe kam blerë tre pulovra të reja leshi dhe një palë kambale të cilat po i kombinoj me xhinset që bleva në Itali”. Oh wow, të lutem më trego pak më shumë mbi… Mbi asgjë?

Goca, gjeni punë prej vërteti.

GAZETAR

Shpjegim i termit gazetar: një person i cili gjeneron lajm për gazetat, revistat, website-t, TV, etj.

Kush e përdor si titull: Kjo pjesë më dhemb në shpirt, pasi kam bërë tre vite ne Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit, jam duke shkruar këtë lajm dhe kam vite që punoj në këtë profesion, DHE PRAP NUK MA NXË GOJA TË THEM SE JAM GAZETARE.

Ama, zotërinjtë dhe zonjat e nderuara të cilët punojnë në portale bastarde që kanë për synim vetem të krijojnë karrema (jo lajme) për klikime, shkruajne JOURNALIST tek bio-ja e tyre në Facebook dhe Instagram. Më thuaj pak; Çfarë po shkruan? Nga kush portal e ke vjedhur apo perifrazuar këtë lajm? Po këtë tjetrin nga ku e ke përkthyer? Si të zë gjumi natën njëherë mbasi e vetmja gjë që të mban gjallë është numri i lartë i klikimeve për artikullin që shkrove sot mbi cicat e Encës?

Sikur thjeshtë një herë, me të vërtetë të dilnit nga guacka e klikimeve dhe me të vërtetë të përpiqeshit të gjeneronit lajme për popullin, bota ndoshta do ishte një vend më i mirë.

SHKRIMTAR

Shpjegim i termit shkrimtar: Një person i cili shkruan, ose ka shkruar diçka në një mënyrë të veçantë.

Kush e përdor si titull: Po jua them kështu;

U ngrita në mëngjes,

Lidha

Kepucët

Kafja mu ftoh

Por

Kujtimi jot

Zemër,

Më ngroh.

Vërë këtë shkrim mbi një peisazh romantik ose një sfond me ngjyrë dhe BOOM. Ja pra të dashur miq shembulli konkret i një shkrimtari në Shqipëri (Po Elhaid Cufi po të shikoj ty).

Mund t’a keni idhull Bukowskin, por nuk mund të jeni ai. Lëreni të prehet në paqe të ziun.

Mund të frymëzoheni nga ai, por jo të vidhni. Jo për gjë, po kjo lloj vjedhjeje flet vetëm për ju dhe se sa të palexuar jeni. Aq të palexuar sa një informacion që keni marrë, s’dini as ta përpunoni dhe t’a përdorni për të krijuar diçka tuajën.

FOTOGRAF

As nuk dua të zgjatem e të jap një përshkrim të këtij profesioni. Por të paturit një Iphone 7+ dhe t’i bëni foto shokëve me opsionin Portrait, nuk ju bën fotografë. T’i bëni një foto liqenit në perëndimin e diellit, nuk ju bën fotografë. Madje madje, nuk dua të jem unë ajo që ju thyej ëndrrat, por duhet t’jua thotë dikush; as të paturit e një aparati professional NUK JU BËN FOTOGRAFË.

Një herë në një emision, një nga këta komedianët tanë duke luajtur rolin e një vajze fshatare në një skeç, tha: Nuk është turp me punu…A kupton?

Dhe në fakt, nuk është. S’keni përse të transformoni atë çfarë bëni sipas dëshirës tuaj dhe t’a zbukuroni me një titull pa lidhje.

Hajdeni me këmbë në tokë dhe kuptoni që hapi i parë për të ecur përpara, është të qenurit i vetdijshëm.

Nuk po them se duke ndërmarrë këtë hap, domosdoshmërisht do jeni Einstein-i apo Zuckerberg-u i ardhshëm, por le të themi që është një start i mirë.

Article Logic
Execution time: 0.0039157867431641