Kryeministri Edi Rama vazhdon të mbrojë idenë dhe projektin për ndërtimin e stadiumit të ri për Kombëtaren. Bashkë me këtë projekt do të ndërtohet edhe një kullë 19 katëshe që do të shërbejë si qendër biznesi.
Pasi e prezantoi dje dhe nuk lejoi hyrjen e Shoqërisë Civile në sallën ku kishte mbledhur disa arkitektë dhe përfaqësues të tij, Rama ka reaguar edhe sot për stadiumin.
“Ja edhe monumenti historik që duan të mbrojnë nga shkatërrimi kundërshtarët e projektit të Arenës Kombëtare…”, shkruan Edi Rama në Twitter, duke e shoqëruar edhe me disa foto të bëra në stadiumin “Qemal Stafa”. Ai ka bërë publik edhe një shkrim të Corriere della Sera, ku shkruhet për kullat e ndërtuara në Tiranë me lejet që ka dhënë ai kur ishte kryebashkiak.