INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Edi Rama: Shqipëria dhe shqiptarët nuk i kanë asnjë borxh PD

Edi Rama: Shqipëria dhe shqiptarët nuk i kanë asnjë borxh PD

Publikuar më: 17:41 02-04-2017

Kur edhe dy muaj e gjysmë na ndajnë nga zgjedhjet parlamentare, kryeministri Edi Rama thotë se mazhoranca i ka votat për të miratuar rekomandimet e OBSE/ODIHR për këtë proces zgjedhor.

Por ai thotë se deri më tani nuk janë kaluar në Kuvend këto propozime, por sepse po prisnin kthimin e opozitës.

 

Në “Komunikimin javor” kryeministri Rama tha se opozita nuk është monopol i një partie, ndaj sipas tij PD duhet të heqë dorë nga protesta në çadër. Ai tha se “Misioni i demokracisë nuk është të shpëtojë një parti nga vetëshkatërrimi”.

“Demokracia nuk është përdhunim i shumicës nga pakica, prandaj ka pluralizëm. Opozita nuk është monopol i një partie sado e madhe apo e vogël është ajo. E mbase kjo derexhe e vajtueshme e PD e katandisur nga një alternativë në një çadër klithmash në mes të bulevardit është fundi i historisë së asaj partie, por këtë nuk e dimë. Misioni i demokracisë nuk është të shpëtojë një parti nga vetëshkatërrimi. Edhe misioni i demokracisë shqiptare është të garantojë lirinë dhe të drejtën e individit dhe jo të shpëtojë PD-në. Ne nuk kemi marrë përsipër të shpëtojmë PD. Keqardhje për ata që e votojnë PD, por kurrsesi për ata që e drejtojnë. Nuk kemi ndaluar dhe nuk ndalojmë PD apo parti të tjera të vrasin veten, duke mos iu dorëzuar vettingut dhe as vetë popullit sovran në ditën e gjykimit të tij. Askush të mos ketë merak se mund të jetë Shqipëria pa opozitë nëse nuk vjen Saliu me çetën e tij në Parlament. Opozita është prodhim i lirisë, dhe liria prodhim i opozitës. Meraku jonë është bllokimi i reformës në drejtësi”,- tha Rama.

Kryeministri Rama tha se vendi duhet të vijojë me reformën në drejtësi, për të larguar gjyqtarë dhe prokurorët e korruptuar.

Duke u ndalur tek kërkesa e opozitës për qeveri teknike, Rama tha se nuk është logjike dhe demokratike të pengosh një proces zgjedhor, apo ta kontestosh atë ende pa u kryer.

“Shqipëria dhe shqiptarët nuk i kanë asnjë borxh PD dhe lidershipit të saj të falimentuar. Nuk i kanë asnjë borxh të korruptuarve që duan të mbrojnë nga vettingu gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar. Historia e demokracisë nisi me studentë që i hapën rrugë krijimit të PD, por nga ajo ditë gjërat kanë ndryshuar. Historia është shkruar më pas me mundime. Në memorien tonë janë zgjedhje të vjedhura nga PD.
Berisha refuzoi hetimin parlamentar të zgjedhjeve të vjedhura të 2009.

Ne i kontestuam ato zgjedhje, dhe hymë në një greve urie, po jo për qeveri teknike, e as të për të rrëzuar zgjedhjet, por për të rrëzuar murin që pengonte hapjen e kutive pas zgjedhjeve. Por nuk i bojkotuam zgjedhjet e 2011 kur me një KQZ të korruptuar na vodhën përsëri zgjedhjet. Ndërsa sot ata kontestojnë zgjedhjet që nuk janë bërë akoma. Nga një çadër tallavaje thonë se nuk do hyjnë në zgjedhje, madje do pengojnë popullin të shkojë në zgjedhje. Ç’është ky budallallëk i tillë.

Kjo u bë si ajo shprehja “Hedh një budalla një gur në lumë e 100 të mençur nuk e nxjerrin dot”. Po a ka marrë kjo qeveri një masë shtrënguese që pengojnë rolin e opozitës në shoqëri? Përkundrazi, opozita ka folur në parlamentin e kësaj legjislature më shumë se vetë mazhoranca.

Edhe rekomandimet e OSBE-ODIHR nuk janë miratuar ende në Parlament jo se mungojnë votat, por sepse presim opozitën në Kuvend.

Për të gjithë ata që kërkojnë të nxjerrin gurin e qeverisë teknike nga lumi që ka marrë opozitën, kam një pyetje: kur opozita nuk do zgjedhje a është demokratike që zgjedhjet të mos bëhen? A është demokratike që zgjedhjet të bëhen vetëm kur do opozita, si do opozita, e pa qeveri legjitime, sepse nuk e do opozita?”, tha Rama.

Article Logic
Execution time: 0.003831148147583