Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar mbrëmjen e sotme një takim me pedagogët e Fakultetit të Gjeologji Minierave në kryeqytet pa praninë e mediave.
Për takimin ka informuar vetë kryeministri në një postim në rrjetet sociale ku shkruan se pati dialog dhe falënderon studentët e pedagogët për mikpritjen.
Ndër të tjera, shefi i qeverisë shkruan se ka mësuar gjëra të reja nga studentët e pedagogët dhe ata e kuptuan ku e ka hallin ai vetë.
“Faleminderit për mikpritjen grupit të studentëve dhe pedagogëve të Gjeologjikut, me të cilët patëm një bashkëbisedim të dobishëm për Dialogun (e në fakt zhvilluam vetë Dialogun) ?Mësova gjëra të reja prej tyre, mbase edhe ata e kuptuan mirë se ku e kam hallin unë?Nesër vazhdojmë?”, shkruan Rama.
Ndërkohë, Unioni Studentor i Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave, është distancuar nga takimi, duke e quajtur të turpshëm.
“Unioni Studentor i Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave, si përfaqësisë legjitim i çdo klase studentësh brenda këtij fakulteti, bën me dije se asnjë student nuk ka marrë pjesë me pëlqimin tonë në takimin e turpshëm që u zhvillua në ambientet e këtij fakulteti. Nuk jemi ne grevëthyesit e parë! I bëjmë thirrje studentëve, anembanë vendit, të vazhdojnë protestën e tyre legjitime deri në anulimin e ligjit në arsim, si pikënisje për plotësimin e të gjitha kërkesave tona! Neve na keni në shesh! PËR NE NUK KA NEGOCIATA! PROTESTA VAZHDON”, thuhet në reagim.