Eduard Selami ka mesazhe të qarta për rivalin e tij Lulzim Basha, për garën e zgjedhjes së lidershipit të ri të Partisë Demokratike. Në një postim në facebook, Selami kërkon debat të hapur për mediat, por mesazhi më i fortë vjen për listat e anëtarësisë. Kandidati për kreun e partisë Demokratike Eduard Selami kërkon që listat e anëtarësisë të bëhen publike e gjithçka të jetë transparente.
Eduard Selami:
“Të dashur miq.
Gara për kryetar të Partisë Demokratike është në kulmin e saj. Ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen që më keni dhënë këtë periudhë.
E kam thënë më parë se kjo garë është e pabarabartë nga ana strukturore por është tërësisht e fitueshme.
Unë dua që PD t’i kthehet edhe njëherë vlerave demokratike dhe perëndimore të saj.
Për këtë, i kërkoj zotit Basha të mbajë premtimin që më ka bërë se debatet mes nesh do të bëhen të hapura për mediat dhe për publikun. Kjo nuk ndodhi në debatin e Korçës.
Së dyti, i kërkoj të bëjë publike listën e anëtarëve të partisë demokratike të cilët do të votojnë. Nuk ka asnjë arsye që këto lista të mbahen të fshehta, ne nuk jemi parti e jashtëligjshme. Duhet transparencë. Anëtarët e PD janë krenarë që janë demokratë dhe nuk kanë frikë që të fshehin anëtarësinë ndaj hape partinë zoti Basha!
Së bashku do ta fitojmë këtë garë dhe do dalim më të fortë”.