INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Ekipi i arkitektëve të Universitetit të Harvard-it prezantojnë projektet që ndryshojnë  kryeqytetin

Ekipi i arkitektëve të Universitetit të Harvard-it prezantojnë projektet që ndryshojnë kryeqytetin

Publikuar më: 12:53 11-07-2017

Në zbatim të Planit të Përgjithshëm Vendor, i cili e parashikon Tiranën si një qytet me disa qendra policentrike, një ekip i arkitektëve të Universitetit të Harvard-it, të cilët po bashkëpunojnë me studentë vendas, prezantuan sot 3 projekte konkrete që do të marrin jetë në kryeqytet. Parku Qendror i Bulevardit të Ri, rikonceptimi i Kombinatit si poliqendra e parë e Tiranës dhe Fasadat e qytetit, janë tre projektet të cilat u diskutuan sot në një konsultim publik me ekspertë dhe grupe interesi.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se qyteti ka humbur shumë kohë duke folur për plane urbanistike, të cilat nuk janë realizuar asnjëherë. Ai deklaroi se motoja e Bashkisë së Tiranës në këto dy vite ka qenë realizimi me cilësi dhe në kohë i projekteve për përmirësimin e jetës së qytetarëve. “Kemi dëgjuar shumë plane urbanistike, ide të mëdha, vizione gjigante të udhëheqësve, por që ndonjëherë nuk realizohen. Kemi dëgjuar pa fund për tramin, për plane urbanistike që asnjëherë nuk përkthehen në realitet. Unë besoj se kemi humbur aq kohë duke folur për vizione, saqë modeli që kemi kërkuar të sjellim në Bashkinë e Tiranës është të punojmë 1 vit në kohë rekord për të bërë planin urbanistik dhe menjëherë të fillojmë me zbatimin e projekteve individuale të planit”, u shpreh Veliaj.

Kreu i Bashkisë deklaroi se pavarësisht debateve që kanë shoqëruar shpesh herë projektet e nisura këto dy vite nga Bashkia, ato në fund kanë rezultuar të suksesshme dhe janë mbështetur nga qytetarët. “Kur mendoj se sa shumë dhimbje, sa shumë histeri, sa shumë debate e sherre prodhojnë këto projekte, jam i bindur që edhe tre projektet që po prezantojmë sot do kenë posaçërisht histerinë e tyre të modeluar për secilin prej këtyre projekteve. Di të them që gjithmonë idetë e mira, fillimisht përqafohen, ose priten me një lloj hezitimi, pastaj me një minorancë që ulëret dhe pastaj me një shumicë të heshtur që aprovon gjërat e bukura që bëhen për këtë qytet. Jemi gati që sot të marrim reagimet e kundërshtimet e para, për sa kohë që nuk ofendojmë njëri-tjetrin, por për sa kohë që kjo është konstruktive secili prej planeve mund të përmirësohet. Në fund është e rëndësishme të marrim vendime dhe të ecim përpara”, tha ai.

Më pas, Kryebashkiaku Erion Veliaj prezantoi shkurtimisht edhe tre projektet të cilat janë hartuar me kujdes nga ekipi i arkitektëve të Universitetit të Harvard-it dhe një grup studentësh të arkitekturës nga Shqipëria. Projekti i parë është projekti për Parkun Qendror te Bulevardi i Ri, një hapësirë e gjelbër, 6 herë më e madhe se Parku Rinia, i cili do të jetë mushkëria e re e kryeqytetit.

“Projekti “William”, është projekti i parkut qendror te Bulevardi i Ri që bën fjalë për një hapësirë, e cila është vendosur në të majtë të Bulevardit të Ri, duke filluar në 500 metrat e parë dhe mbaron deri tek 1.5 km. Është një hapësirë rreth 6 herë më e madhe se Parku Rinia dhe që do të krijojë Parkun e ri Qendror të qytetit. Është një hapësirë që është projektuar që tani si park dhe që tani është negociuar që të gjitha ndërtimet të zhvendosen në periferi dhe ajo hapësirë pranë Bulevardit të Ri të jetë një mushkëri e re për Tiranën”, tha Veliaj, duke shtuar se pas sheshit “Skënderbej” dhe pas Parkut të Liqenit të Tiranës, atij të Farkës dhe të Kasharit, Parku Qendror do të jetë një nga pjesët më kreative të qytetit.

Ashtu, sikurse edhe sheshi “Skënderbej”, Veliaj deklaroi se edhe kjo hapësirë e re do të jetë një nga zonat më të preferuara në kryeqytet. “Nuk e di a mjaftojnë librat e kësaj bote për të gjithë debatet dhe të gjithë sherrin me sheshin. Ja ku jemi sot, kemi çdo javë që bëjmë matjet e ndotjes së ajrit dhe na rezulton se i vetmi vend në Tiranë, ku ajri është nën normat e ndotjes së BE, është sheshi “Skënderbej”. Siç e shikoni, edhe sot që është vapë, ka njerëz në shesh, jo më gjatë pasditeve dhe gjatë mbrëmjes që gëlon nga jeta dhe sidomos pjesët e parqeve rreth Muzeut Kombëtar”, shtoi më tej Veliaj.

Projekti i dytë është ai që ka të bëjë me idenë e poliqendrave të Tiranës dhe më konkretisht për rikonceptimin e zonës së Kombinatit. Plani i Stefano Boerit parashikon një Tiranë me disa qendra. “Kemi propozuar që Kombinati të jetë një qëndër më vete, po ashtu edhe Lapraka, “Qyteti Studenti” te rruga e Elbasanit dhe Kinostudio. Në pamundësi për t’i filluar të gjitha njëherësh, kemi zgjedhur Kombinatin, duke filluar nga sheshi “Garibaldi” e deri te pjesët industriale që mund të akomodojnë edhe industrinë kreative. Fakti që kemi koncentruar aty disa shërbime, çerdhe të reja, kopshte të reja, shkollën e re “Betim Muço” që po mbaron, fakti që mbikalimi te Kombinati Ushqimor gjithashtu lehtëson trafikun, krijon një infrastrukturë të mjaftueshme për ta trajtuar Kombinatin si një prej poliqendrave të Tiranës, për t’u siguruar që jo çdo njeri duhet të vijë te sheshi “Skënderbej” për të marrë shërbime”, tha Veliaj. Ai deklaroi se Kombinati do të jetë një etalon që do të ndiqet më pas edhe për qëndrat e tjera në kryeqytet.

Projekti i tretë lidhet me transformimin e projektit të fasadave të Tiranës nga një projekt ad-hoc, në një projekt afatgjatë. “Ideja ka të bëjë me transformimin e projektit të fasadave të Tiranës nga një projekt ad-hoc, që është bërë nga një kryetar bashkie që filloi, një që pastaj e ndërpreu fare sepse e kishte inat atë tjetrin që e filloi, dhe një tjetër si administrata jonë që po mundohet ta vazhdojë në mënyrë ad-hoc si te Pazari i Ri dhe si t’i japë kësaj një lloj uniformiteti. Pavarësisht se kush është kryetar bashkie, projekti i fasadave të Tiranës është një mënyrë për të zbukuruar shëmtinë sovjetike që trashëguam nga shumica e ndërtimeve në Tiranë, apo kaosin e ndërtimeve pa leje, apo të një urbanistike të viteve ‘90 komplet jashtë standardit dhe se si mund ta përkthejmë dhe ta shohim nga një problem, në një mundësi”, u shpreh Veliaj, teksa shtoi se fasadat e Tiranës janë shndërruar në një kartolinë të qytetit.

Kreu i Bashkisë deklaroi se falë investimeve të bashkisë, pronat sikurse është zona e Pazarit të Ri apo ajo në rrugën e Dibrës, ka marrë një tjetër vlerë. “Unë e di që sa herë që njerëzit duan të shajnë diçka, nuk merren me gjithë punët e mira që janë bërë, por po panë diçka që është shprehje estetike e përmirësimit të diçkaje thonë: hë mo se kjo është fasadë. Por të gjithë e dinë që po, ka fasadë te Pazari i Ri, por ajo fasadë i ka shtuar vlerën deri në dy-tre herë Pazarit të Ri dhe atyre apartamenteve që po rrënohen. Eksperienca si në Shqipëri, ashtu sikurse kudo në botë, tregon se e bukura, e mira, e këndshmja, estetikja, e pastra ia shtojnë vlerën pronës së qytetit”, theksoi Veliaj.

Ai tha se menjëherë pas këtij studimi, do të nisë puna për zbatimin e projekteve dhe kthimit të tyre në vepra konkrete. “Mezi pres që stafi i bashkisë që ka detyrën e zbatimit t’i përkthejë këto në projekte konkrete. Pra, të fillojë menjëherë dizenjimin e Parkut Qëndror, të fillojë menjëherë mbjelljen në faza dhe menjëherë investimet që do të bëjmë në Parkun e ri Qendror; të fillojmë menjëherë rikonceptimin e Kombinatit si të parin projekt të një prej poliqendrave të Tiranës dhe pastaj për t’u siguruar që projekti i fasadave të qytetit, bashkë me ushtrinë e administratorëve të pallateve, bashkë me fondin e komuniteteve që po jep bashkia, të jetë një përpjekje serioze dhe e unifikuar për secilin kryetar bashkie, që qyteti të ketë mundësi që ta zhvillojë në afatgjatë”, tha Veliaj.

Më pas, ekipi i arkitektëve të Universitetit të Harvard-it dhe grupi i studentëve të arkitekturës nga Shqipëria prezantuan më në detaje tri projektet konkrete, të cilat u diskutuan edhe me ekspertët e pranishëm në konsultimin publik.

Article Logic
Execution time: 0.0048158168792725