INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Ekspertët: Rrezik pandemie nga virusi “Zika”

Ekspertët: Rrezik pandemie nga virusi “Zika”

Publikuar më: 18:20 28-01-2016

Nga “Sars”-i, gripi i shpezëve, gripi i derrave dhe ebola; bota vitet e fundit nuk ka parë qetësi. Shpërthimet e papritura e të vrullshme të sëmundjeve të tilla kanë zhytur në panik rajonet e prekura, por edhe vendet larg tyre.

Së fundi, duket se po i takon Zikës të mbjellë frikë. Nga një virus i izoluar në disa lokalitete të Brazilit, përgjegjësi i rrudhjes së trurit të fëmijësë që në bark, e lindjes pastaj me anomalinë e theksuar të një koke shumë të vogël, rrezikon përhapjen e gjerë falë lëvizjes së njerëzve, e sidomos turistëve.

Për këtë arsye, shkencëtarët amerikanë kanë paralajmëruar Organizatën Botërore të Shëndetësisë të ndërmarre veprime urgjente. Argumenti i tyre është se, Zika ka potencialin e një pandemie eksplozive.

Në shkrimin e botuar në një revistë shkencore amerikane, grupi në fjalë i kërkon OBSH-së të nxjerrë mësime nga shpërthimi i shfrenuar i ebolës e të krijojë me urgjencë një panel ekspertësh të sëmundjeve infektive.

Vaksina, sipas tyre, mund të jetë gati për testim pas dy vitesh, por do të duhet një dekadë përpara se të mund të vihet në përdorim të publikut. Zika e ka zhytur Brazilin në panik. Me mijëra vetë janë infektuar nga virusi deformues, që tashmë është përhapur në 20 vende të ndryshme.

Nuk ka asnjë kurë për sëmundjen, që i shkakton fetusit mikrocefalit, duke u bërë në disa raste fatale për foshnjën, e në të tjera duke rrezikuar t’i lërë fëmijët me probleme të rënda mendore.

Virusi i përhapur nga mushkonja “Aedes aegypti”, bartëse edhe e etheve tropikale e atyre të verdha, është zbuluar në vitin 1947 te majmunët e pyllit Zika të Ugandës. Rasti i parë i saj te njerëzit u shënua në Nigeri, në vitin 1954, por për dekada me radhë nuk ka dhënë shenja se mund të kthehej në një kërcënim kaq të madh për njerëzit, e përgjithësisht është injoruar nga komuniteti shkencor.

Article Logic
Execution time: 0.0035970211029053