INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Ekspertët: Shërbimet online një mundësi shumë e mirë për të rritur punësimin

Ekspertët: Shërbimet online një mundësi shumë e mirë për të rritur punësimin

Publikuar më: 12:59 09-07-2017

Hapja e vendeve të reja të punës është sot një nga sfidat më të rëndësishme për çdo qeveri. Sektorët potencialë që planifikohen të gjenerojnë vende të reja pune në vitet e ardhshme konsiderohen: shërbimet, bujqësia, turizmi, tregtia apo nënsektorë që lidhen me energjinë, etj. Një sektor me shumë potencial për punësimin e të rinjve, është dega e nënkontraktimit të shërbimeve të biznesit BPO-ve (business process outsourcing) me nënsektorë si p.sh., shërbimet online, duke përfshirë call center, marketing online, data entry, shërbime kontabiliteti, etj.

Në vend, aktualisht numërohen rreth 30 mijë të punësuar në këtë sektor, por potencialet mendohet se janë për një dyfishim të këtij numri në vitet në vijim. Drejtuesja e Sekretariatit të Këshillit të Investimeve, Diana Leka thotë se biznesi ka konfirmuar gjatë konsultimeve, veçanërisht në kuadrin e potencialeve të këtij sektori, se ka shumë interes për të zgjeruar investimet në këtë sektor. Kështu nga një anketim në shkurt 2017 (me 17 CEO të kompanive që punësonin rreth 10,000 veta) rezultonte që – “kompanitë BPO parashikojnë të rriten në vitin në vazhdim, por kryesisht (88%) në shërbimet ekzistuese dhe një pjesë shumë e vogël parashikon diversifikim në shërbime të reja.”

“Ne kemi iniciuar një ‘diskutim/debat’ mbi problematikën e tregut të punës së sektorit dhe potencialet përkatëse dhe në bazë të anketimeve, intervistave dhe takimeve me palë të ndryshme të interesit rezulton se ky sektor dhe nënsektorët (p.sh., shqyrtimi i Ankesave, regjistrimi i pagesave të kompanisë, përpunimi i transaksioneve, shqyrtimi i menaxhimit të pyetjeve/kërkesave, shqyrtimi i administrimit të klientelës, kanë një potencial të madh rritjeje në vend. Studimi më i thelluar mbi tregun u bë nga projekti RISI Albania/AVASANT dhe mendohet se ky numër mund të dyfishohet duke marrë për bazë numrin e studentëve që studiojnë teknologji informacioni apo degë të ngjashme, por edhe planet e kompanive për të shtuar apo për të diversifikuar shërbimet”, thotë znj. Leka.

Kosto e lirë nuk është i vetmi avantazh, por dëshira dhe motivimi për punë është më i lartë, sidomos në disa profesione. Shqipëria ka potencial për t’u bërë Data Warehouse (sistemet e përdorura për raportim dhe analizim të dhënash) në sektor, teksa investimet në dhënien e shërbimit të internetit janë bërë tashmë. Në Shqipëri ka staf, ka aftësi shumë të mira të gjuhës italiane dhe angleze, ndoshta për italisht jemi më të mirët në rajon, ndërsa gjermanishtja është në “potencial sepse po kërkohet”, por duhet të punojmë ende për të përgatitur “aftësitë profesionale”. Tregu nuk e zgjidh, por vetëm e evidenton problemin.

Përputhshmëria e njohurive dhe aftësive të fituara në auditor me nevojat e tregut të punës përbën një sfidë të vazhdueshme jo vetëm për sistemin e edukimit në përgjithësi apo dhe universitetet shqiptare, por edhe për ato perëndimore. Është koha dhe momenti që sa më parë ky hendek të fillojë të zvogëlohet. Anketa të vazhdueshme të kryera nga bizneset vendase kanë treguar ekzistencën e mangësive të rëndësishme te pjesa më e madhe e të diplomuarve veçanërisht për sa i përket komunikimit, punës në grup, aftësive të zgjidhjes së problemeve, si dhe cilësisë e nivelit të njohurive (terminologjisë profesionale) në gjuhët e huaja kryesore. Është e qartë që këto mangësi krijojnë kosto shtesë për punëdhënësit, veçanërisht për bizneset, që kërkojnë punë intensive “labor intensive”.

Z. Agron Shehaj, drejtuesi i kompanisë më të madhe në këtë sektor, IDS, në Shqipëri thotë se ka shumë të rinj që diplomohen në degët e teknologjisë, dinë gjuhë të huaja dhe kanë ambicie për të mësuar, por mungon orientimi i tyre në tregun e punës.
“Pikë e fortë që ka tregu shqiptar është fakti se përgjithësisht të rinjtë njohin gjuhën italiane dhe angleze, ku kemi edhe kontrata të shumta dhe gjithashtu kanë njohuri të mira në IT. Por, për sa kohë universitetet nuk kanë bashkëpunim të ngritur, të vazhdueshëm e të fortë me bizneset në këtë sektor do të jetë e vështirë që ne të shndërrohemi në një treg potencial në rajon dhe të tërheqim edhe më shumë investime”, thotë z. Shehaj.


Nisma konkrete

Një ndër iniciativat mjaft konkrete dhe simbolizim kyç i modelit Triple Helix është dhe nisma e ndërmarrë nga Ministria e Inovacionit dhe Administratës Publike nëpërmjet Innovation Hub. Hapësira e parë publike e vënë në dispozicion Startup dhe nismave të të rinjve në fushën e biznesit dhe të ICT-së. E krijuar vetëm në maj 2016, brenda një viti, Innovation Hub arriti të shndërrohet në një ndër ambientet kryesore për zhvillimin e talenteve të reja si dhe “facilitatori” i mundësive për bashkëpunime rajonale të startup shqiptare në Europë.
Këshilli i Investimeve u kontaktua nga Innovation Hub në mars të vitit 2017 për të qenë pjesë e bashkëpunimit të grupit të interesit në formimin e modelit “Triple Helix”, duke sjellë së bashku Shtetin, përfaqësues të universiteteve dhe biznesin.

Ky model është finalizuar duke qenë një ndër hapat e parë të bashkëpunimit midis tre përfaqësuesve shtet, privat dhe universitet.
Nga pjesa dërrmuese e studentëve, praktikat mësimore janë vlerësuar si një përvojë pozitive që i shërben aplikimit në praktikë të njohurive dhe aftësive të fituara në auditor, si dhe përgatitjes për tregun e punës, i cili po bëhet gjithnjë e më konkurrues.
Ndërkohë, z. Shehaj tregon se reagimi nga universitetet pas ngritjes së bashkëpunimit përmes Këshillit të Investimeve ka qenë shumë i lartë. “Në fakt duhet të them se është e vërtetë që para 3-4 muajsh, marrëdhëniet me universitetet apo edhe institucionet shtetërore në drejtim të platformave të tilla, ishin thuajse të limituara, të paktën në rastin e biznesit tim. Kur unë i propozova Sekretariatit, të sugjeronte ngritjen e platformave Universitet – Shtet – Biznes – për të investuar në përafrimin e nevojave të cilësisë së tregut të punës me atë çka prodhojnë universitetet, sinqerisht nuk mendoja që në hapësirën e 3-4 muajve, do të kishim kaq shumë interes, aktivitete dhe platforma bashkëpunimi”, thotë ai.

Më konkretisht, janë realizuar shumë aktivitete përmes Innovation Hub, platforma bashkëpunimi, ndërkohë që kanë nisur edhe bisedimet për ngritjen e një kampusi ku studentët do të mund të marrin vazhdimisht praktikën e duhur dhe bashkëkohore.
“Pavarësisht faktit që nuk ka ende statistika të sakta për nënsektorët e shërbimit të teknologjisë së informacionit, që të mundësojnë identifikimin e saktë të nevojave të këtij nënsektori sipas kategorizimit në Qendrën Kombëtare të Bisnesit” – thotë znj. M. Farka, eksperte e menaxhimit të talenteve. Shqipëria duhet promovuar për avantazhet e saj edhe në vendet e Europës Qendrore si Gjermani, Holandë, Zvicër, Austri, Francë etj. Ky promovim mund të koordinohet me iniciativat që ndërmerren për turizmin. Gjithashtu znj. Farka thekson se nga përvoja e saj me kompani-klientë nga Europa Qendrore, rezulton që për këto kompani është shumë e rëndësishme të gjejnë fillimisht partneritet me institucionet publike në aftësimin e punonjësve, sidomos atyre që janë të sapodalë nga universitetet. Në Shqipëri ka ende mbivendosje të programeve të mbështetjes/nxitjes së punësimit dhe një koordinim më i mirë i punës me donatorët do t’i shërbente vërtet nxitjes së investimeve në fushën e shërbimeve të kontraktuara me vlerë të shtuar të lartë.

Article Logic
Execution time: 0.0027952194213867