INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Eksperti amerikan: Ndarja e Kosovës plan i Putin, për të minuar rajonin

Eksperti amerikan: Ndarja e Kosovës plan i Putin, për të minuar rajonin

Publikuar më: 16:47 19-11-2018

David Phillips, ekspert amerikan i politikës së jashtme thotë se presidenti rus e sheh Kosovën si një projekt amerikan. Sipas tij destabilizimi i vendit është mënyra e Putinit për t’u marrë përsëri me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndërhyrjen e NATO-s. Ai thotë se ndarja është pjesë e planit strategjik të Putinit për të minuar ndikimin perëndimor në Kosovë dhe për të zgjeruar ndikimin e egër të shtetit të tij duke e forcuar Serbinë. Presidentët Hashim Thaçi dhe Vladimir Putin u treguan të përzemërt gjatë takimit që zhvilluan në Paris, por Rusia nuk është mike e Kosovës e as e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kështu ka theksuar gjatë një interviste për VOA David Phillips, ekspert amerikan i politikës së jashtme. Ish-këshilltari i lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit vlerëson se ndarja është pjesë e planit strategjik të Putinit për të minuar ndikimin perëndimor në Kosovë dhe për të zgjeruar ndikimin e egër të Rusisë, duke e forcuar Serbinë. “A do të garantojë Putin që Rusia do të heqë veton e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për anëtarësimin e Kosovës? A mund ta bindë Kinën? Unë jam skeptik”, thotë mes tjerash Phillips. Eksperti e konsideron si përpjekje të rrezikshme idenë e shkëmbimit të territoreve. Sipas tij kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj i ka shkruar në shtator të këtij viti letër këshilltarit të sigurisë kombëtare në SHBA, John Bolton për çështjen e kufijve . “Letra e Haradinajt i komunikoi pikëpamjet e tij mbi përpjekjet e rrezikshme dhe destruktive nga disa elementë të Kosovës dhe të Serbisë për të hyrë në një lloj shkëmbim territori. Aq sa di unë, Bolton nuk u përgjigj në këtë letër. Për më tepër, SHBA-ja nuk ka arritur të shprehë qartë qëndrimin e saj mbi ndarjen. Ndarja mund të nxiste një fazë të re të konfliktit etnik në Kosovë dhe në rajon, duke destabilizuar shtetet e brishta multietnike”, deklaroi  Phillips.

Article Logic
Execution time: 0.0035340785980225