Përveç mbylljeve të shkollave me klasa kolektive një tjetër shqetësim janë edhe disa shkolla në Elbasan, kjo për shkak se nuk përmbush standardet e sigurisë.
E tillë është edhe shkolla në fshatin Mengël të Elbasanit, e cila qëndron e mbyllur prej dy vitesh për shkak se Komisioni i Emergjencave e cilësoi atë të pasigurtë pas rënies së tërmetit. 300 nxënës së bashku me prindërit e tyre kanë protestuar për tre ditë me radhë për hapjen e shkollës në këtë fshat. Në këto kushte fëmijët janë të detyruar të hipin autobuzave për të ndjekur turnin e dytë të programit mësimor në Elbasan.
Prindërit kërcënojnë se do t'i lënë fëmijët e tyre pa shkollë nëse nuk rihapet përsëri shkolla e tyre.
Edhe fëmijët kërkojnë të ndjekin mësim në shkollën e tyre, pasi ndjehen më të sigurtë. Drejtoria e shkollës pohon se projekti për rikonstruksionin, ka kohë që është dorëzuar dhe se pritet çelja e fondeve, Por, deri më tani nuk ka asnjë përgjigje. Në këtë gjendje janë edhe disa shkolla në bashki të tjera të qarkut.