Eleni Foureira është shqiptarja e cila përfaqësoi Qipron në festivalin e këngës evropiane "Eurovision". Këngëtarja u paraqit në skenën e “Eurovisionit” me këngën “Fuego”, e cila ishte një ndër favoritet për të marrë çmimin e parë, por për fat të keq Eleni nuk arriti të fitonte votat e duhura dhe u mposht nga përfaqësuesja e Izraelit, Netta Barzilai.
Mirëpo edhe pse nuk fitoi, me siguri “Fuego” do të mbetet si hiti i këtij edicioni të Eurovision, pasi po dëgjohet në çdo cep të botës, jo vetëm në Europë.
Talenti, zëri, interpretimi dhe bukuria e saj bën që ajo të rrezatonte energji në skenën e madhe të Eurovision-it. E cilësuar si Jennifer Lopez apo Beyonce, ajo arriti të fitonte zemrat e të gjithëve dhe vazhdon të fitojë edhe pas marrjes së çmimit të dytë.
Në kaq pak kohë, ‘Fuego’ kryeson listat jo vetëm në Europë, por edhe jashtë saj. Një lajm i mirë për të gjithë fansat e saj në Europë është se së shpejti Eleni do të nisë turneun e saj. Është vetë këngëtarja me origjinë shqiptare e cila ka publikuar një foto në rrjetet sociale, ku tregon shtetet në të cilat do të performojë.
“Romë, Amsterdam, Suedi, Belgjikë, Londër dhe më shumë...mezi po pres”, shkruan Eleni.