INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Elseid Hysaj: Do të japim maksimumin, në Itali për pikë [VIDEO]

Elseid Hysaj: Do të japim maksimumin, në Itali për pikë [VIDEO]

Publikuar më: 18:46 22-03-2017

Ai është një ndër mbrojtësit më të mirë të Kombëtares dhe po aq profesionist është në fushë, aq profesionist është treguar edhe në konferencën për shtyp.
Elseid Hysaj nuk ka asnjë dyshim: Itali-Shqipëri është një sfidë speciale për të gjithë. Jo vetëm për shqiptarët që pas emigracionit në masë në fillimin e viteve ’90 tashmë janë përshtatur, ndërsa shumë futbollistë luajnë përtej Adriatikut, por edhe për italianët që në Kombëtaren kuqezi përfaqësohen nga trajneri De Biasi dhe ndihmësit e tij.

“Si gjithmonë Shqipëri-Itali kemi qenë afër dhe ka për të qenë një ndeshje e bukur si për ne ashtu edhe për italianët. Kemi qeshur me Insinjen kemi bërë pak shaka. Edhe pas ndeshjes me Empolin edhe përpara nisjes i thashë që jemi kundërshtarë dhe skemi për të folur më. Do të jetë një ndeshje e bukur për të dy.”

Sipas yllit të mbrojtjes kuqezi, Shqipëria është gati dhe e vetëdijshme çfarë e pret të premten në Palermo, por nuk i trembet yjeve të Italisë dhe do të kërkojë rezultat pozitiv pavarësisht mungesave.

“Besoj që do të jemi gati dhe do të jetë një ndeshje e bukur si për ne ashtu edhe për Italianët. Yjet e Italisë? Ne duhet të mendojmë si të mbrohemi. Italia mund të bëjë më mirë duke sulmuar dhe më keq duke mbrojtur. Mirë apo keq ne i njohim vlerat e Italisë, cilët janë lojtarët, ku luajnë dhe jemi të vetëdijshëm çfarë na pret. Ne luajmë për të marrë rezultat pozitiv. Mungesa kemi parë edhe në ndeshjet e mëparshme. Çdo kush që do të luajë do të japë 100 për qind. Besoj që do të shkojmë për rezultat pozitiv. Nuk mund të themi që do të fitojmë, të barazojmë apo të humbasim. Të gjithë luajnë për të fituar. Suksesi shërben për vendin e dytë.”


Hysaj nuk pranon të dëgjojë që Kombëtarja është jashtë garës në kualifikueset e Botërorit 2018, ndërsa beson se tifozët do të jenë të shumtë në stadiumin “Renzo Barbera”.

“Stadiumi është shumë i bukur, fusha do të jetë në gjendje perfekte. Shpresoj që shumë shqiptarë të gjejnë mënyrën të jenë të pranishëm për të na mbështutur si gjithmonë dhe besoj se do të kënaqen. Nga gara nuk kemi dalë ende, sepse janë edhe gjashtë ndeshje. Na shkoi keq ndeshja me Izraelin, por me ndihmën e trajnerit dhe stafit e kemi marrë veten. Do të zbresim në fushë dhe do të bëjmë më të mirën.”

Me De Biasin të shqetësuar se 23-vjeçari shkodran ka luajtur shumë ndeshje gjatë këtij sezoni, mbrojtësi i Napolit i qetëson të gjithë dhe shprehet gati për Kombëtaren.

“Për mua është kënaqësi, që në moshën 23 vjeçare i luaj të gjitha ndeshjet në Serinë A dhe në Champions. Për më tepër që vij në Kombëtare është një kënaqësi më tepër. Nuk ndjej lodhje. Gjithashtu edhe djemtë e tjerë që ndoshta kanë luajtur më pak do të japin maksimumin.”

Article Logic
Execution time: 0.0038130283355713