Nga Sabina Kica
E keni parasysh atë ndjesinë kur sapo keni marrë rrogën? Apo kur sapo jeni diplomuar, apo kur do bëni një udhëtim që keni kohë që e prisni, apo kur keni arritur një sukses tuajin çfarëdo? Sigurisht që e keni parasysh, madje po ta mendoni mbase këto janë te vetmet gjëra që ju kanë gëzuar ose që ju shtyjnë të punoni edhe pak,të përpiqeni edhe pak. Ne njerëzit pas gjërave te tilla kapemi çdo ditë dhe kësisoj ecim çdo ditë me bindjen e thellë se të tilla gjëra na duhen, të tilla gjëra na shërbejnë.
Jemi gjithmonë në punë, gjithmonë në shkollë, gjithmonë duke bërë dicka për të përfituar diçka. Tani po ju pyes edhe një herë: E keni parasysh atë ndjesinë kur je ulur me familjen para televizorit me një gotë kakao tek dora? Atë ndjesinë kur mblidheni si familje në një drekë a darkë? Atë ndjesinë kur ju vijnë fqinjët për të llomotitur kush e di se çfarë..atë ndjesinë kur ishim të vegjel dhe na vinte gjyshja/halla/tezja dhe me zor prisnim të shihnim çfarë na kishin sjellë, atë ndjesinë kur mblidheshim kalamajtë e lagjes për të luajtur pafkash..(po të ishim me fat të gjenim top..edhe top me 7 pafka kulle)?
Nuk i keni fare parasysh, përkundrazi tani që ua kujtova unë ju erdh në mendje. Kjo sepse ne nuk jemi më si më parë… Ne nuk mblidhemi si më parë, nuk qeshim më si më parë, as nuk luajmë, as nuk e degjojmë më njeri-tjetrin si më parë.
Teknologjia dhe kjo epoka moderne na kanë afruar kaq shumë, po nuk na kanë berë gjë tjetër perveçse endacakë ku secili shikon punën e tij dhe i jep rëndësi pikërisht vetes së tij. Nuk po them të mos e bëni këtë.
Duajeni veten shumë por mos harroni se të duash veten do të thotë të duash familjen, të duash miqtë, shokët, të afërmit.Ti kërkon urrejtje? Hape derën e shtëpisë gjen kudo nga të katërta anët. Po dashurinë? Atë nuk e gjen dot kaq thjeshtë dhe shpejtë këtë e dimë mirë apo jo? Atëherë, këto copëza mirësie mblidhi pra, rriti, shpërndaji… Nëse të tjerët nuk e bëjnë, epo punë e madhe, bëje ti!