INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Ende frika deri në palcë

Ende frika deri në palcë

Publikuar më: 13:00 25-08-2017

Nga Anisa Bega

Frikën njerëzit e përjetojnë në mënyra të ndryshme. Mora shkas nga ngjarje të ndryshme që më rrethojnë kudo në vendin ku jetoj dhe kaloj pjesën më të madhe të kohës sime. Do thoni ju nga e more inspirimin të shkruash? Ti jeton në demokraci dhe mund të bësh ç’të duash dhe nuk të çon njeri te Sekretari i Partisë. Nuk kam jetuar në sistemin komunist dhe nuk e kam idenë si është të jetosh në frikën e dhënies së mendimit të lirë, por tani a jemi vërtetë të lirë?!

Kam vënë re që ne ende e kemi frikën deri në palcë për të vepruar në vende të ndryshme, ku hasemi në jetën tonë, si : familje, shkollë, punë etj. Që kur kemi qenë të vegjël na mësonim mos t’i pranonim çokollatat që na jepnin kur vinin miqtë për arsye që ende nuk e kam marrë vesh. Pra që në familje, ne shqiptarët jemi rritur me frikë, nuk jemi shprehur ashtu si shpirti ynë dëshironte. Mesa duket kjo gjë akumulohet dhe jep pasojat edhe kur rritemi. Marr edhe rastet e abuzimeve ndaj femrave, ato sërish nuk e kanë forcën të shprehen si ndihen dhe të ikin nga realiteti që sipas të tjerëve është “idealja”. Por, çfarë ju plas o njerëz se çfarë mendon tjetri? Vërtetë, jeta është e ndërtuar me të tjerët, por pa shkatërruar shtyllën tënde kurrizore. Mos harroni se “tjetri” atë punë ka, do flasë dhe gjithmonë do gjejë diçka për të të nxjerrë “jo perfekte”. 

Po për kushtet e këqija të jetës së përditshme. pse kemi frikë të flasim? Mua personalisht, më ka ndodhur që kur kam ngritur zërin për ndonjë kusht të keq të ambjetit ku jetoj, kam parë në shumicën e rasteve heshtje dhe ai që flet del idioti. Pra, frika sërish?!

Gjithashtu, për kushte bazike që ke krijuar në jetë të thonë, hë rri se mirë je, ka edhe më keq. Ç’më duhet mua që ka edhe më keq? Ne si popull, e kemi mendjen të mendojmë vetëm më të keqen. Aman, rri se kush nuk është si ty. Kjo do të thotë që të rrimë në një fazë të caktuar dhe mos të pretendojmë të ecim më përpara? Kam dëgjuar edhe raste ku disa njerëz janë mbledhur ndaj një padrejtësie dhe në fund vetëm njëri doli “ delja e zezë” dhe u përjashtua në mënyrën më të keqe. Frika sërish? Raste të tjera ka plot, por vërtetë doja të shkruaja në lidhje me këtë ndjenjë e cila te ne është pak më e madhe për arsye që nuk mund të mbaroja dot duke i rreshtuar.

Article Logic
Execution time: 0.0032801628112793