INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Endrit Hoxhaj:

Endrit Hoxhaj: "Veshja në Shqipëri thyerje tabush apo degjenerim..."

Publikuar më: 14:52 17-07-2017

Dëshira e të rinjve shqiptarë për t`ju përngjarë deri në detaje bashkëmoshatarëve të tyre europianë, ka marrë përmasa të mëdha.

Emancipimi i rinisë shqiptare po vihet re gjithnjë e më tepër në sjelljen e saj, botëkuptimin dhe sidomos në mënyrën e të veshurit. Kjo tendencë nxitet nga dëshira e brezave të sotëm për të qenë sa më tepër trendy dhe ekstravagantë. Në këtë mënyrë ata synojnë të bëhen të padallueshëm nga të rinjtë europianë. Megjithëse pjesa më e madhe janë të bindur se se ky stil veshjeje i unifikon me vendet perëndimore, ky perceptim është i gabuar dhe nuk bën gjë tjetër veçse bën të dukemi jo seriozë në sytë e botës dhe të tjetërsojmë dashur pa dashur elementet e kulturës shqiptare.

Çlirimi nga një diktaturë komuniste 50-vjeçare dhe përqafimi i sistemit perëndimor politik e ekonomik si model i përsosur, i cili rrënoi ish-blokun komunist, po zhvillon tek shqiptarët ndjenjën e europianizimit të shoqërisë si pjesë e Europes dhe integrimin në të gjitha strukturat e saj. Çdo ditë në median vizive politikanë, zyrtare të administratës, përfaqësues diplomatikë, analistë e gazetarë politikë, në edicionet informative apo formate të ndryshme politike, informojnë opinionin publik mbi integrimin e Shqipërisë në BE, debatojnë mbi arritjet dhe mangesitë e vendit tonë në këtë proces, rëndësia e të cilit është rritur ndjeshëm dhe është shndërruar në prioritetin kryesor të qeverisë sidomos pas anëtarësimit të vendit tonë në NATO. Shqiptarët  dhe sidomos të rinjtë mundohen gjithnjë e më tepër që të imitojnë europianët në vlerat e tyre kulturore, në sjellje, veshje moderrne, në mënyrën e organizimit të festave private, vendosjen e emrave të huaj te fëmijët, bizneset e deri studimi në universitete. Të gjitha këto tendenca dëshmojnë për shpirtin europian të shqiptarëve, dëshirën dhe ëndrrën e parealizuar për t’ju bashkuar kombeve europiane. Këto veprime përmirësojnë imazhin tonë në sytë e Europës që Shqipëria të marë vendin që i takon, por shpesh këto perceptime, mentalitete moderne e kulturore keqinterpretohen, manipulohen duke i shndërruar elementet e kulturës së huaj, në elementë të ekzagjeruara, madje duke shkelur kodin etik dhe thyer vlerat tona “të arta” tradicionale. 

Momentalisht ditët e nxehta të verës janë shndërruar për të rinjtë e sotëm në një “lakuriqësi” të tepëruar. Ngado të hedhësh shikimin ky detaj të tërheq vëmendjen. Kjo tendencë sa vjen dhe dakortësohet  më shumë në çdo grupmoshë. Veshjet më të preferuara variojnë nga dekoltetë e hapura me prerje të ekzagjeruara në pjesën e gjoksit apo ekspozimin e gjysmën së shpinës, deri tek kanotieret me rripa, zhaponetë, bluzat e xhinset e grisura, minifundet e shkurtra, të shoqëruara me modele të çrregullta të flokëve me ngjyra të habitshme dhe nga një makiazh i tepëruar. Të gjitha bëhen në emër të feminilitetit. Mjafton që të zotërosh veshjet e kohës së fundit apo të jesh shikues i rregullt e programeve të  “Fashion Tv” për të qenë modern apo i kohës dhe injoron problemet e shumta ekonomike të cilat has çdo ditë familja shqiptare. Ngado të hedhësh sytë, gjithçka të krijon përshtypjen e pasarelave të modës. Ky lloj stili është i lejueshëm vetëm në paradat e modës, spektaklet televizive, telenovelat dhe filmat hollivudianë. Madje në kryeqytetet botërore përdoret vetëm në ambjente të caktuara. Nuk ka aspak rëndësi mosha, qëllimi i vetëm i tyre është që linjat e trupit të dalin sa më shumë në pah. Ecja provokuese e femrave mbi taka të larta, këpucë balerinash e deri tek truku i ekzagjeruar, i cili në të shumtën e rasteve kopjohet në revista mode duke mos u përshtatur me moshën, janë imazhi i femrave të sotme, kryesisht në kryeqytete, aty ku dhe mundësitë e shfaqjeve të tilla gjejnë terren të përshtatshëm. Problemi qëndron në faktin se imazhi i sotëm bashkëkohor nuk po njeh kufij moshe, që nga adoleshentet e shkollave 9-vjeçare e deri tek zonjat, të cilat po japin shembullin më të keq për fëmijët e tyre. Këto tendenca përbëjnë një problem akoma më serioz, pasi ato tashmë janë bërë pjesë e jetës së përditshme të të rinjve shqiptarë, duke mos bërë dallim në varësi të ambienteve ku ndodhen. Në lokalet, restorantet dhe pube, femrat e sotme paraqiten me të njëjtën veshje. Aspak të përshtatshme. Në shkolla, universitete, institucionet e administratës publike... Nxënëse të shkollave 9-vjeçare e të mesme, studente, e madje jo rrallëherë mësuese, pedagoge dhe zyrtare të institucioneve të administratës shtetërore, paraqiten në vendet ku studiojnë apo ushtrojnë profesionin e tyre me të njëjtën mënyrë veshje, provokuese dhe të ekzagjeruar, duke shkelur Kodin e Etikës. Është e vërtetë se çdo person ka të drejtën dhe lirinë të ndërtojë modelin e jetës së tij në përputhje me kënaqësitë shpirtërore individuale, por jashtë ambjentit institucional dhe në përputhje me Kodin e Etikës, i cili sqaron: “Veshja dhe paraqitja e nëpunësit duhet të jenë serioze për të përfaqësuar denjësisht administratën publike. Veshja e nëpunësve meshkuj, sidomos në takimet zyrtare duhet të jetë me kostum, këmishë e kravatë, ndërsa për nëpunëset femra, veshja duhet të jetë serioze dhe jo ekstravagante. Nëpunësit duhet të tregojnë kujdes për higjenën personale, modelin e flokëve, të mos e tepërojnë me makiazhin dhe aksesorë të tjerë, në mënyrë që të jenë në përshtatje me detyrën dhe funksionin e nëpunësit të lartë të shtetit”.

Bazuar në rregulloren e Ministrisë së Punës Çështjeve Sociale dhe Shanceve të Barabarta,  hartuar me iniciativën e Ministrisë së Arsimit dhe Fondacionit “Soros”, me pjesëmarrjen e sindikatave të arsimit, është hartuar një draft, i cili përpiqet të bëhet rregullatori i përpiktë, i marrëdhënieve mësues-nxënës, mësues-drejtues, mësues-prindër si dhe mes vetë nëpunësve administrativë. Kodi parashikon shmangien e veprimeve kompromentuese dhe veshjet ekstravagante. Performanca fizike është një tjetër pikë së cilës specialistët i kanë kushtuar shumë kujdes në Kodin e Etikës. Ata janë të mendimit se ajo ndikon së tepërmi në sjelljen dhe formimin e nxënësit, ndaj janë marrë parasysh edhe sanksione në raste shkeljesh. Sipas draftit, mësuesit në shkolla dhe ambiente të tjera publike duhet të përdorin veshje që i përshtaten figurës dhe misionit të tij si educator: “Mësuesi duhet të jetë shembull higjiene dhe pastërtie, të reflektojë shije qytetare të përparuara dhe harmoni në të gjithë paraqitjen e tij të jashtme”, thotë pika e dytë e seksionit të veshjes. Gjithashtu sipas Kodit, për figurën e mësuesit janë të papranueshme, sidomos në mjediset e shkollës, veshjet ekstravagante provokuese, bizhuteritë e tepruara, ekspozimi i tatuazheve, minifundet, dekoltetë etj. Falë një tatuazhi në një vend të dukshëm të trupit një shoku im humbi vendin e punës në ShBA.

Uniforma e nxënësve në shkolla në të vërtetë nuk zbatohet. Kjo vlen për një masë dërrmuese nxënësish e studentësh në arsimin parauniversitar dhe atë universitar të vendit. Vetëm në pak shkolla serioze të kryeqytetit zbatohet veshja e uniformës së detyruar shkollore. Në pjesën më të madhe të vendit ky detyrim injorohet dhe nuk merren masa ndëshkuese apo parandaluese në përhapjen e këtij fenomeni masiv. E keqja më e madhe qëndron në pranimin e heshtur dhe indiferentizimin e shkeljes së hapur të rregullave të etikës që nga institucionet më të larta shtetërore. Vete hartuesit dhe miratuesit e këtij drafti e injorojnë zbatimin në punë, sepse detyrimi mbetet vetëm në letër.  Në raste të panumërta nëpunëset e ministrive, institucioneve gjyqësore dhe ekzekutive paraqiten në punë, në sytë e shefave të tyre me të njëjtat veshje provokuese, jashtë rregullores së Kodit të Etikës.

Duke u mbështetur në burimet e medias vizive, deri më sot, të vetmet studente apo punonjëse të ndëshkuara për veshje të papërshtatshme në ambientin arsimor apo të punës janë femrat e veshura me ferexhe sipas traditës myslimane. Është paradoksal fakti që më së shumti vëmendja e ndëshkimit përqëndrohet tek ato që janë ndryshe nga të tjerët, ndonëse në thelb janë të veshura “kokë e këmbë”. Ndërkaq, drafti i Ministrisë së Arsimit ka parashikuar ndëshkimet në kontratat kolektive të mësuesve. Ndëshkimet e tyre ndryshojnë në varësi të pasojave që vijnë nga shkelja që kryejnë. Masat që janë propozuar deri tani fillojnë nga një vërejtje të thjeshtë, vërejtje me paralajmërim për pushim nga puna dhe ulje në detyrë. Sipas Xhaferr Dobrushës, i cili ka marrë pjesë aktive në hartimin e draftit, është propozuar paraprakisht që një masë tjetër ndëshkimore të jetë edhe heqja e së drejtës së profesionit, në raste shkeljesh shumë të rënda.

Është paradoksal fakti që pikërisht modeli perëndimor i lirisë së tepruar në veshje, i cili frymëzon moshat e reja në shoqërinë shqiptare, nuk përputhet me rutinën e jetës së përditshme të bashkmoshatarëve të tyre europianë. Stili i veshjes nga të rinjtë europianë është sa praktik aq edhe komod dhe në përputhje me ambjentin ku ndodhen. Shumica e të rinjve europianë preferojnë veshje të rehatshme, të gjera, makiazh të përshtatshëm me moshën, jetën e përditshme dhe ambjentet arsimore, duke i kushtuar luksin dhe ekstravagancën ambienteve të argëtimit zakonisht në fundjava. Studimet sociale kanë treguar se midis brezave të rinj në perëndim ka lindur një pikëpamje e re në lidhje me jetën. Të lodhur nga liritë e tepruara, parregullsitë e shumta shoqërore ata kërkojnë më shumë kujdes ndaj nevojave të tyre shpirtërore. 

Rezultatet e një studimi të grupit hetimor IG, në qendrën analitike dhe statistikore të Nju Jork-ut, tregojnë se vajzat e reja përkundër gjeneratave të kaluara nuk kanë dëshirë për veshjen e rrobave ekstravagante dhe ekspozimin e trupit të tyre. Melissa Lavijen, studiuese e kësaj qendre thotë se: “...statistikat tregojnë se vajzat e reja janë më të prirura për mbulimin e pjesëve të trupit të tyre”. Tendencat e reja Lavijen i shpjegon me prirjen e të rinjve për një veshje më të denja. Pas disa dekadash të propagandimit të veshjeve gjysmë lakuriqe dhe ekspozimit të trupit të femrave, tani njerëzit janë në kërkim të veshjeve më të përshtatshme”. 

Kohët e fundit një grup rinor në perëndim kanë reaguar edhe ndaj publikimit të fotove lakuriqe, imorale si dhe ndaj muzikës destruktive. Disa persona në perëndim fotografitë imorale dhe muzikën provokuese e cilësojnë si rrugë për prishjen e të rinjve. Në korrik të 2005 një grup vajzash në Londër u futën në grevë urie në shenjë proteste ndaj fotove të publikuara në revistën “Play boy”. Ato i kërkuan të ndalojohet publikimin e fotografive të tilla. 

Është interesant fakti që në kushtet e një shoqërie gjithnjë e më shumë emancipuese, në ndryshim dhe dinamizëm të mbështetur dhe nga vetë prindërit, të rinjtë europianë përpiqen që të zgjedhin një rrugë tjetër. Dëshira për modele më të përshtatshme veshjesh dhe shembujsh të mirë, janë ndër kërkesat e brezit të ri për ndryshim. Studiuesja Rashida Jolley është ndër personat që i fton të rinjtë për të gjetur në jetë, modele të reja dhe të përshtatshme. Ajo u kërkon prindërve që t’i inkurajojnë fëmijët e tyre drejt vlerave morale, të kultivojnë veti të mira, në mënyrë që të hedhin hapa jo negative aq shumë të përhapura në shoqërinë globale.

Article Logic
Execution time: 0.0044689178466797