Njëra është bionde, tjetra brune. Të qeshura, simpatike e me sy që reflektojnë mençuri e energji pozitive janë të dyja. Njëra quhet Eni Dare, ndërsa tjetra Loneta Progni. Prej pak ditësh janë bërë një nga lajmet më interesante të portaleve, dhe në fakt jo pse kanë pozuar me bikini në bregdetin e jugut shqiptar, apo nëpër peizazhet e bukura në ishujt grek, apo duke kërcyer e u argëtuar nëpër loung-bar-et më trendy të Tiranës. Përkundrazi, ato këtë verë kanë dalë krejt kundra kësaj rryme, duke postuar pothuajse çdo ditë foto nga salla trajnimesh, takime në kafe normale me njëra - tjetrën, këtu në mesin e vapës së Tiranës. Dhe ja kështu, edhe pa qenë të njohura, e kanë tërhequr vëmendjen, duke hedhur e pritur lojra fjalësh e hashtagë mes njëra- tjetrës. Ama e kanë gjetur një gremç, pas së cilit kanë ngecur të tjerët. Thjesht duke bërë në çdo postim të tyre tag @euronews_albania dhe hashtagë #euronewsalbania, vajzat kanë ngjallur kuriozitet të madh. Duke e atashuar veten me televizionin më të ri që do të hapet së shpejti në Tiranë, me Euronews Albania, sigurisht që vajzat do të bënin lajm. Do të ngjallnin kërshërinë për t’i zbuluar edhe më shumë: ç’lidhje do të kenë ato me Euronews Albania? Nëse do të jenë imazhi i ri i këtij ekrani, në ç’pozicion do të jenë, në atë të moderatores së një emisioni, të gazetarëve në terren, apo diçka krejt tjetër? Ajo ç’ka dihet me siguri është se Eni dhe Loneta po trajnohen në këto ditë të nxehta vere nga ekspertë të huaj e të njohur të medias, që po vijnë si përfaqësues të gjigandit medatik Euronews, këtu në Tiranë, për t’u mësuar gazetarëve që do të bëhen pjesë e Euronews Albania, metodat e reja të raportimit dhe të të bërit gazetari, siç është dhe MoJo, Mobile Journalism. Dhe mesa duket për këtë frymë të re të të bërit gazetari Euronews Albania po zgjedh new generation. Pasionantë, të etur për dije e punë serioze, siç duket se janë dhe Eni e Loneta.