Më parë kemi shkruar për faktin që bukuroshja 21 vjeçare ndodhet në udhëkryqin më të madh në karrierë, pasi gjendet përpara 3 shtëpive të mëdha diskografike që kërkojnë të sigurojnë përfaqësimin e saj.
Sony Music, Island Records Group dhe Republic Records duan që të shpërndajnë famën dhe talentin e Erës nëpër botë, dhe natyrisht publikimet e saj nën logon e tyre. Pavarësisht zgjedhjes që autorja e hitit “Bonbon” pritet të bëjë, në çdo rast karriera e saj do të marrë një drejtim tërësisht tjetër...drejt yjeve! Por çfarë do të thotë kjo për një artiste shqiptarë dhe më tej, për botën shqiptare të artit në tërësi.
Ok, Era nuk është e para këngëtare shqiptare që merr famë botërorë dhe që shërben si ambasadore kulturore e vendit tonë, pasi kujtojmë emra të tillë si Rita Ora, Bebe Rexha apo së fundmi edhe Dua Lipa. Asnjëra prej tyre nuk e mohon origjinën si dhe shpreh krenari për të, duke e ngritur kështu lart emrin e vendit tonë. Kujtojmë madje që Rita Ora është shpallur ambasadore e Kosovës nëpër botë nga Presidentja Atifete Jahjaga. Megjithatë, është gjithashtu e vërtetë se asnjëra prej tyre nuk është produkt vendas, i kulturës apo i artit shqiptar. Rita Ora dhe Dua Lipa janë dy këngëtare të stilit britanik, duke marrë parasysh rritjen artistike në atë vend, ndërsa Bebe Rexha nga ana tjetër i përket muzikës amerikane.
Pra, Era është e para këngëtare shqiptare “de facto” që përfaqëson vendin tonë jo në nivel prejardhjeje, që ndodh edhe me tre artistet e lartpërmendura, por është e para e cila na përfaqëson në nivel artistik. Kështu, globalizimi i muzikës së Erës mund të kthejë sytë e botës jo vetëm nga vendi jonë, por edhe nga produktet tona artistike. Me fjalë të tjerë, motra e vogël Istrefi mund të hapë rrugën për shumë këngëtarë të tjerë të talentuar shqiptarë që të bëhen edhe ata pjesë të muzikës në nivel ndërkombëtar, duke u afruar me shtëpitë e mëdha diskografike. Era po e hedh hapin e parë. Të shpresojmë që të mos mjaftohemi me aq dhe të pasohet nga të tjerët. Fundja, talenti nuk mungon.