Nëse kombëtarja shqiptare ka një mesfushor që i ka këmbët e arta, ai është Ergys Kaçe. 23 vjeçari zgjodhi Shqipërinë para Greqisë para 3 vitesh dhe thotë se ndihet i lumtur për zgjedhjen, pasi është bërë pjesë e historisë me kualifikimin për herë të parë të kombëtares sonë në Europian.Mesfushori i PAOK-ut gjithmonë me paraqitjet me kombëtaren ka bërë një paraqitje të shkëlqyer dhe të njëjtën gjë shpresojmë të bëjë edhe në EURO 2016. Jo më kot ka tërhequr vëmendjen e shumë ekipeve të huaja dhe mediave gjithashtu, sidomos pas atij supergoli të realizuar në miqësoren ndaj Francës në “Elbasan Arena” më 13 Qershorin e vitit të shkuar. Në një deklaratë për shtyp në kuadër të ndeshjes së parë kundër Zvicrës 23-vjeçari konfirmon se është në formën e tij optimale dhe në pritje të vendimeve të trajnerit.
“Jam shumë mirë, nuk kam probleme dhe jam gati pasi ndjehem shumë mirë fizikisht. Trajneri është ai që vendos, ne duhet të ndihmojmë skuadrën edhe kur nuk luajmë, si në fushë dhe në stol.”
Europiani është një eveniment madhështor, ndaj dhe emocionet janë të mëdha ashtu si dëshira për të luajtur.Futbollistët duken shumë të lumtur pasi kjo është një arritje e madhe seps për herë të parë kombëtarja jonë ndodhet në fazen finale të kompeticioni. Pse jo ky eveniment do të shërbejë si një trampolinë për futbollistët, sepse natyrisht që do të ketë shumë menaxherë klubesh që do i vëzhgojnë.
“Jam me fat që Shqipëria hyri në Europian dhe jemi të lumtur të gjithë si grup që jemi këtu. Europiani është gjë e madhe për të gjithë jo vetëm për mua. Nuk e di nëse do jem te PAOK apo jo, por të shohim me kalimin e kohës.”
Nuk është hera e parë që Shqipëria do të përballet me këto ekipe, edhe pse bilancet nuk janë shumë të mira. Mirëpo Ergys Kaçe është i bindur tek forca e grupit, karakteristikë që çoi kuqezinjtë në Europian.
“Të 3 janë skuadra të mira, por ne kemi një ekip të mirë dhe e kemi treguar. Nëse luajmë si më parë s’do të kemi probleme. Në futboll nuk fiton gjithmonë skuadra më e madhe, por kur luan si grup je fitues.”