Tirana do të nisë një fushatë tjetër për shtimin e terreneve sportive. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, e ka bërë këtë deklaratë gjatë një vizite dy ditore në Lozanë. Ai ishte i ftuar nga Kryebashkiakut Grégoire Junod, në aktivitetin e Qendra Botërore të Komitetit Olimpik dhe 55 federatave botërore të sportitme qëllim rritjen e shkëmbimit të eksperiencave dhe mundësive të bashkëpunimit midis dy qyteteve.
“Duam ta kthejmë Tiranën në një qendër rajonale të Ballkanit, ku shumë prej korporatave dhe institucioneve ndërkombëtare të sjellin selitë e tyre. Më vjen mirë që kemi hedhur disa hapa konkrete në bashkëpunimin me qytetin e Lozanës sepse duam të mësojmë nga më të mirët, sidomos në fushën e aktiviteteve sportive”, tha Veliaj.
Ai sëbashku me Junod diskutuan rreth bashkëpunimit për të hartuar një projekt të sportit në komunitet dhe për të inkurajuar shumë prej të rinjve në Tiranë, që në vend të kafeneve dhe të lojërave të fatit, të merren me aktivitete sportive.
“Lozana është shtëpia e sportit botëror, jo vetëm e komunitetit olimpik, por këtu ka rreth 55 federata. Lozana ka adoptuar fare mirë shumë prej praktikave të sportit në komunitet, për ta kultivuar atë edhe nëpër lagje, sidomos tek të rinjtë. Ky është shembulli që duhet të ndjekë edhe Tirana”, tha Veliaj.