Sot në të gjithë Europën festohet Dita e Baballarëve dhe të njohur e të panjohur kanë zgjedhur rrjetet sociale për të uruar, duke postuar foto e video me baballarët e tyre. Ndryshe veproi Ermal Meta, këngëtari me origjinë shqiptare që na ka bërë krenarë me arritjet e tij në Itali. Ermali postoi një video nga kënga e tij “Lettera a mio padre” dhe i uroi festën vetëm baballarëve të vërtetë.
“Gëzuar Festën e Baballarëve. Atyre të vërtetëve”-shkroi Ermali.
Këngëtari ka treguar në rrëfimet e mëparshme se babai ka ushtruar dhunë ndaj tij duke e quajtur fëmijërinë të dhimbshme. Në këngën “Lettera a mio padre”, Ermali tregon raportin e vështirë me të atin dhe e përshkruan si një njeri që nuk ndodhej kurrë në shtëpi.
Kjo nuk është kënga e vetme që ai i dedikon familjes pasi edhe “Non mi avete fatto niente”, ka një histori.
“Kur e kam kënduar për herë të parë më erdhi në mend fëmijëria ime. Doja të këndoja me forcë: Bastard, nuk më bëre dot asgjë”-tha Ermali asokohe.