INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
“EU Transit – Tirana Farm” në Petrelë, nxitje për investimet dhe prodhimet vendase

“EU Transit – Tirana Farm” në Petrelë, nxitje për investimet dhe prodhimet vendase

Publikuar më: 12:36 21-05-2017

Mbështetja e të rinjve, biznesit vendas, turizmit, por edhe agroindustrisë, si mundësi reale për zhvillimin e zonave rurale dhe ekonomisë së kryeqytetit, janë disa nga prioritetet e Bashkisë së Tiranës. Në takimin e zhvilluar pasditen e djeshme në Petrelë, me titull “EU Transit –Tirana Farm”, me objektiv gjetjen e partnerëve dhe rritjen e mundësisë për bashkëpunim ndërmjet sipërmarrësve të rinj në vendin tonë dhe vendeve të tjera evropiane, kryebashkiaku Erion Veliaj theksoi nevojën për mbështetjen e bizneseve apo sipërmarrësve të rinj, që sjellin më shumë punësim, por edhe më shumë zhvillim.

Teksa solli në vëmendje historinë e Jetmirit, një i ri i cili u rikthye në fshat për të ngritur një biznes të tijin, Veliaj tha se shembuj të tillë duhen të ndiqen edhe nga të rinjtë e tjerë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës shtoi se, që ekonomia lokale të zhvillohet dhe çdokush të gjejë një mundësi për të zhvilluar një ide biznesi edhe në fshat, është e rëndësishme që të inkurajohen nisma të tilla, që të rinjtë të kthejnë besimin te vetja dhe të kuptojnë se largimi drejt Tiranës apo jashtë vendit nuk është e vetmja zgjidhje për ta. Ai solli në vëmendje edhe mbështetjen e drejtpërdrejtë të bashkisë së kryeqytetit për sipërmarrësit e rinj nëpërmjet granteve apo mikrokredive.

“Bashkia e Tiranës e ka një skemë të kredive dhe të granteve për të rinjtë. Nëse shuma është e vogël, ne mund ta japim në formë granti, nëse një nga të rinjtë këtu në Kryezi, Hekal, Petrelë apo kudo ka një ide, të shohim nëse mund ta financojmë. Nëse ideja është investim pak më i madh, kemi edhe një fond të mikrokredive si Crimson Fund Albania, ku gjithashtu japim mikrokredi për një periudhë afatgjatë me norma interesi thuajse zero, por që të sigurohemi që ai djalë apo vajzë që ka një ide brilante se si mund të gjenerojë të ardhura me ekonominë e fshatit, të ketë mundësi ta bëjë edhe me ndihmën e Bashkisë”, deklaroi Veliaj.

Ai deklaroi se bashkia do të vazhdojë punën për nxitjen e prodhimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale vendase dhe konsumimin e tyre në tregun vendas, si një mënyrë e mirë për zhvillimin e ekonomisë lokale. Për këtë qëllim, ai kërkoi që edhe qytetarët e Tiranës të synojnë të blejnë produktet bio të zonave të Tiranës, pasi vetëm kështu konsumojnë një produkt të shëndetshëm, por edhe ndihmojnë ekonomitë e zonave përreth. “Sot ekonomia e Tiranës, kryesisht pjesës urbane, gjeneron 40% të GDP të vendit, formalisht, bashkë me rrethinat që i janë shtuar, patjetër 50% të ekonomisë së vendit. Pra, 50% e të ardhurave të gjithë Shqipërisë, taksave dhe kontributeve financiare të gjithë Shqipërisë gjenerohen në Tiranën tonë. Është pa sens, që këto para t’i çojmë si valutë për të marrë mall që prodhohet jashtë, jo detyrimisht në cilësinë më të mirë, pjesa më e madhe është ambalazh dhe shumë pak produkt organik, bio, si ato që kemi në rrethinat e Tiranës. Unë e kam të sinqertë thirrjen, kur them nëse secili prej nesh largohet nga kjo trevë duke blerë diçka dhe duke lënë pak të holla pas, duke konsumuar të njëjtën gjë në tregjet e pazaret tona, sigurisht që kemi dhënë një kontribut për të rigjeneruar ekonominë tonë”, tha Veliaj.

Ai theksoi se sa i përket bashkisë ajo do të punojë që të shtojë investime si ai i Pazarit të Ri, ku çdo fermer i Tiranës të mund të shesë me kushte sa më të mira prodhimet e veta bujqësore dhe blegtorale. “Duam shumë që nën shembullin e Pazarit të Ri, të vijojmë me investime të tilla në disa zona. Unë jam shumë i vëmendshëm dhe shumë i ndjeshëm, patjetër që i vë re kur njerëzit thonë, pse nuk i lë të gjithë të shesin në tokë dhe shtrihemi të gjithë nëpër trotuare? Për disa arsye: Së pari, nuk mendoj se është higjenike. Në një vend ku kalojnë kanalet e zeza, nuk besoj se duhet të shitet ushqimi i fëmijëve të Tiranës; së dyti, ende nuk dimë një qytet në botë i cili t’ia ketë parë hajrin kësaj”, deklaroi ai.

Kryebashkiaku theksoi se Bashkia e Tiranës po punon që të investojë jo vetëm në Tiranën qendër, por dhe në zonat përreth saj. “Nuk mjafton vetëm të tregojmë harta, por është shumë e rëndësishme që njerëz që vijnë nga bërthama urbane e Tiranës të kenë akses në zona të tilla, siç është fshati Kryezi sot, gjithë Malësia e Hekalit, gjithë zona e Petrelës apo vende të tjera të Tiranës, për të kuptuar që nuk jemi të mallkuar, brenda një hapësire 42 km katrorë, përkundrazi jemi të bekuar me 1200 km katrorë ku në fakt pjesa më e madhe është gjelbërim dhe përdoret kryesisht për bujqësi”, u shpreh kryebashkiaku.

Article Logic
Execution time: 0.0039389133453369