INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Euro thyen rekordin e 11 viteve në Shqipëri. Mësoni me sa këmbehet

Euro thyen rekordin e 11 viteve në Shqipëri. Mësoni me sa këmbehet

Publikuar më: 16:00 05-12-2018

Rekord në vlerësimin e monedhës së përbashkët evropiane, Euro në Shqipëri. Ditën e sotme monedha e përbashkët ka zbritur në nivelin më të ulët që nga shkurti i vitit 2008, duke arritur në këtë mënyrë një rekord të ri të 11 viteve të fundit. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye me 124.11, me një rënie prej 0.15 lekë në raport me ditën e mëparshme, duke kaluar në këtë mënyrë dhe rekordin minimal prej 124.17 lekë që u arrit në fillim të muajit qershor.
Duket se ndërhyrja e bankës qendrore nuk ka dhënë rezultatin e pritshëm në treg. Edhe pse Banka e Shqipërisë filloi një sërë ndërhyrjesh të jashtëzakonshme, duke tërhequr më shumë se 100 milionë euro nga tregu, duke e stabilizuar kursin për pak muaj në nivelin e 126 lekëve. Por, që nga mesi i shtatorit, kur Banka e uli intensitetin e ndërhyrjeve dhe më pas sinjalizoi tregjet se do e linte kursin të lirë, euro ka shënuar një rënie të vazhdueshme graduale, duke vendosur sot një rekord të ri të dekadës së fundit.

Aktorët e tregut pohojnë se arsyeja kryesore lidhet me kërkesë ofertën, konkretisht me ofertën e lartë të eurove dhe qarkullimin e dobët të monedhës vendase. Sipas tyre, në nëntor aktiviteti tregtar nuk ishte në nivelet e pritura, ndërsa shumë shqiptarë ikën jashtë për të festuar dhe me kthimin në vend kanë këmbyer eurot e tepërta.

Article Logic
Execution time: 0.0035660266876221