INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Eurobondi, Guvernatori i BSH Seiko: Tregues pozitiv për ekonominë, nuk rrit borxhin

Eurobondi, Guvernatori i BSH Seiko: Tregues pozitiv për ekonominë, nuk rrit borxhin

Publikuar më: 16:53 03-10-2018

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko e ka vlerësuar pozitivisht emetimin e eurobondit, duke e cilësuar si një sukses atë që është arritur, por edhe si një vlerësues për gjendjen e ekonomisë shqiptare. Në daljen për mediat për vendimmarrjen e politikës monetare, Guvernatori tha se vlera e ofruar përtej kërkesës dhe interesat e ulëta për eurobondin e Shqipërisë janë një tregues tjetër i situatës ekonomike që vjen nga tregjet ndërkombëtare e që i bashkëngjitet edhe vlerësimeve të organizmave ekonomikë ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore apo Komisioni Europian.
“Ne u informuam përfundimisht për emetimin e eurbondit. Në fakt ky është një sukses nisur si nga vlera e eurobondit. U ofruan mbi 1 miliard euro për emetimin e eurobondit pavarësisht se nevoja ishte për 500 milionë euro pasi ne këtë synonim, qeveria shqiptare këtë synonte. Po ashtu edhe norma e interesit është tregues i një mbyllje me sukses. Ky është tregues i vlerësimit të ekonomisë shqiptare nga tregjet e huaja ndërkombëtare. Pra ne tani kemi edhe një tregues, edhe një element tjetër, përveç vlerësimeve që ekonomisë shqiptare i jep FMN, BB apo KE. Pra ekonomia shqiptare vlerësohet pozitivisht për sa kohë eurobondi u emetua në nivelin dyfish të asaj që ishte e kërkuar. Natyrisht që eurobondi ka disa elemente pozitivë. Në radhë të parë liron likujditetin në tregje për ta afruar në sistemin bankar kundrejt kreditimit, pra krijon likujditete të lira për bankat për të nxitur kredidhënien në vend. Gjithashtu është edhe një sinjal pozitiv për investitorët e huaj pasi është një tregues i vlerësimit të ekonomisë shqiptare. Ne e vlerësojmë një transaksion të suksesshëm. E rëndësishme është që të theksohet se, nga kontaktet që ne kemi edhe me Ministrinë e Financave dhe nga shikimi i pasqyrave financiare të buxhetit të shtetit, eurobondi nuk do të ndikojë në rritjen e borxhit të Shqipërisë. Pra eurobondi është kalkuluar për një pjesë të shërbimit të borxhit të vjetër dhe do të përdoret gjithnjë në kontekstin e konsolidimit fiskal” tha Sejko.
Qeveria shqiptare ka realizuar me sukses eurobondin e tretë në tregjet ndërkombëtare. Referuar të dhënave të Thomson Reuters, oferta ka qenë mjaft e lartë, në rreth 1.25 miliardë euro, nga 500 milionë euro që kërkonte qeveria shqiptare.

 

Article Logic
Execution time: 0.0034868717193604