Për eurodeputetin Eduard Kukan nuk është në të mirë të Shqipërisë që zgjedhjet parlamentare të zhvillohen pa praninë e opozitës. Për këtë arsye, Kukan ka bërë thirrje që forcat politike të arrijnë një marrëveshje dhe të dialogojnë për të zgjidhur këtë krizë.
Këto deklarata, eurodeputeti Kukan i ka bërë gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë shqiptarë dhe nga rajoni në Bruksel.
“Ne duam t'ju ndihmojmë prandaj duam lajme të mira nga rajoni pasi në këtë mënyrë edhe në Parlamentin Europian jemi më të fortë. Zgjedhjet pa opozitë e dëmtojnë vendin. Ka edhe një mundësi teknike për t'u regjistruar n.q.s dikush dëshiron. Ne do ju mbështesim, n.q.s ka dialog. Kemi dëgjuar boll për korrupsion, kanabizëm, është logjike që mund të përdoren me fushatë, por për t'i luftuar këto fenomene nuk duhet bojkot. Çdo lloj thirrje për protesta nuk duhet të kthehet në dhunë nga politikanët. Unë nuk e di çfarë do ndodhë n.q.s nuk ka dialog, por unë besoj se ka dhe do ketë dialog. Unë do i kisha mbyllur në një dhome (Edi Ramën dhe Lulzim Bashën) deri sa të gjejnë zgjidhje”, tha simbolikisht Eduard Kukan.