INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Europa e Lirë: Liderët dëmtuan raportet me aleatët e Kosovës

Europa e Lirë: Liderët dëmtuan raportet me aleatët e Kosovës

Publikuar më: 09:34 27-12-2017

Qëndrimet e lëkundura të liderëve të Kosovës për çështje të rëndësishme siç janë Demarkacioni dhe ligji për Gjykatën Speciale janë konsideruar si një dëm që po bëhet vendit. Radio Europa e Lirë shkruan se veprimet e liderëve politikë dhe institucionalë të Kosovës kanë treguar se nuk kanë mirëkuptim karshi qëndrimeve të bashkësisë ndërkombëtare, lidhur me çështjet që vlerësohen të ndjeshme në raportet e ndërsjella, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë. Sipas tyre, çështja e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, si dhe së fundmi edhe tentimin për të dërguar para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, propozimin për shfuqizimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, që njihet si Gjykata Speciale për krime lufte në Kosovë, kanë nxitur veprime me plotë nervozë të udhëheqësve të Kosovës dhe të cilat shkojnë ndesh me zhvillimin e marrëdhënieve të mira me shtetet tjera, e në veçanti me vendet mike për Kosovën. Politologu Ramush Tahiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se ngjarjet e fundit kanë krijuar përshtypjen në opinion se udhëheqësit e Kosovës, për shkak të interesave personale ose klanore, nuk janë të përgjegjshëm si drejtues të shtetit, si dhe ndaj obligimeve që kanë marrë ndaj bashkësisë ndërkombëtare. Siç thotë ai, janë situata shumë të rralla kur ambasadorët e vendeve mike të dalin me qëndrim zyrtar, kundër qëndrimit, të cilën në këtë rast e ka Qeveria ose kundër vendimit që eventualisht mund ta marrë Kuvendi. “Është fakt që ne jemi shtet sovran dhe i pavarur, si dhe është fakt që ne i ndjekim procedurat demokratike. Mirëpo, gjithashtu është fakt që përmes procedurave demokratike nuk mund të sjellësh asnjë vendim që është antidemokratik ose asnjë vendim që shkon ndesh me synimet e Kosovës, por edhe me synimet e ruajtjes së miqësisë me shtetet që e kanë ndihmuar Kosovën, si dhe me obligimet, karshi bashkësisë ndërkombëtare, që i ka marrë Kosova”, thotë Tahiri. Ismajl Hasani, njohës i zhvillimeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se ftohja e raporteve ndërmjet faktorëve ndërkombëtarë dhe lidershipit të Kosovës, në mënyrë sporadike ka nisur para se të zhvilloheshin ngjarjet e fundit, me deklarata të cilat nuk kanë qenë në frymën e linjës së një zhvillimi normal që mund ta ketë një shoqëri.

Article Logic
Execution time: 0.0034739971160889