Nënkampionët luajtën në Hungari takimin e parë të vlefshëm për Ligën e Europës, ku u mund 3-0 nga ekipi i Debrecenit. Duhet thënë se pavarësisht rezultatit, skuadra e Gjokës ka prodhuar një futboll të pëlqyeshëm, ku Valdet Rama është iniciatori i aksioneve, sidomos në pjesën e parë, madje verilindorët iu afruan golit në të 25-ën, kur gjuajtja e Rrocës u ndal vetëm nga shtylla.
Një paragraf e meriton dhe gjyqtari austriak Gishamer, që një faull si mbrojtës i fundit të lojtarit hungarez ndaj Et’hemit, e cilëson si lojë të rregullt, duke mbajtur haptazi një qëndrim të njëanshëm, por dhe në një pretendim për penallti nga ana e Ramës.
Në pjesën e dytë, Debreceni do të gjejë golin në të 54-ën me të sapofuturin Garba, që përfiton nga markimi i dobët i mbrojtjes. Më pas Kukësi ka mundësi të barazojë me tentativën e Valdet Ramës në të 74-ën, por ata që shënojnë janë të zotët e shtëpisë, që dyfishojnë me një kundërsulm të saktë në minutën e 77-të të finalizuar nga Vargën.
6 minuta më pas Debreceni gjen dhe golin e tretë me një gjuatje të Vargës nga jashtëzonës, që nuk llogaritet siç duhet nga Stivi Frashëri dhe që përfundon në rrejtë, duke vulosur rezultatin 3-0 dhe duke e bërë praktikisht të pamundur misionin përmbysje për Kukësin në ndeshjen e kthimit.