Dramë dhe emocione në ‘Anfield’ aty ku Liverpul ka bërë një përmbysje historike të takimit përballë Borusias së Dortmundit duke kaluar kështu në gjysmëfinalet e Ligës së Evropës.
‘Të kuqtë’ përmbysën disavantazhin 1-3 në 4-3, në limitet e ndeshjes.
Ish-skuadra e Jurgen Klopit shënoi dy herë brenda 9 minutave të para, në fillim me Mikhitaryan e më pas Aubameyang, e çuan ndeshjen në 0-2, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë.
45 minutat e dyta ishin të paparashikueshme në ‘Anfield’, ku u shënuan edhe 5 gola të tjerë. Divok Origi shkurtoi diferencën në minutën e 48, por në minutën e 57-të Marko Reus shënon të tretin dhe hesht 45 mijë të pranishmit në ‘Anfield’.
U duk se gjithçka u mbyll me këtë gol, por Liverpuli reagoi me Koutinjon në minutën e 66-të, duke i çuar shifrat në 2-3.
Në minutën e 78-të Sakho rikthen skuadrën në lojë duke barazuar rezultatin në 3-3. Me këtë rezultat kualifikoheshin gjermanët, por në minutën 90+1 Lovren përmbys gjithçka dhe dërgon ‘Të kuqtë’ në gjysmëfinalet e Ligës së Evropës, së bashku me Shakhtarin, Vilarealin dhe Sevilian.