Luhen sot ndeshjet e dyta në grup, në Europa League. Në orën 18:55 do të luajnë ndeshjet e tyre Milani dhe Arsenali.
Arsenal-i do të bëjë udhëtimin më të gjatë në historinë e vet, këtë të Enjte, në përballjen me Qarabag. Ekipi do të udhëtojë rreth 4.000 km për të arritur në “Tofiq Bahramov Republican Stadium”.
Henrik Mkhitaryan nuk ka udhëtuar me ekipin për shkak të tensioneve politike midis Azerbaxhanit dhe kombit të tij, Armenisë.
Njësoj edhe londinezët e Chelsea po kërkojnë në sfidën e rradhës vazhdimin e rekordit për ndeshjet e fituara, nën menaxhimin e trajnerit të ri Maurizio Sarri.
“Blutë” e Londrës fituan ndeshjen e tyre hapëse në këtë kompeticion 1- 0 kundër PAOK-ut dhe një trepikësh tjetër i vendos ata të parët në grup dhe me disa pikë larg konkurentëve.
Një tjetër ndeshje interesante është përballja midis Lazio-s dhe Frankfurt-it, ku pritet që Lazio të harrojë humbjen në derbin me Romën dhe t’i rikthehet sërisë së fitoreve.
Ndërkohë Celtic-u do të provojë veten në përballjen me Red Bull Salzburg. Përsa i përket austriakëve ata morën një fitore të këndshme 3-2 kundër RB Leipzig, prandaj kjo ndeshje pritet të dhurojë spektakël, me dy skuadra që luftojnë për kreun e grupit.