INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Europol publikon listën e personave më të kërkuar në BE, mes tyre dhe dy shqiptarë...

Europol publikon listën e personave më të kërkuar në BE, mes tyre dhe dy shqiptarë...

Publikuar më: 17:31 10-12-2016

Europol ka bërë publike listën e personave më të kërkuar prej saj gjatë muajit dhjetor. Mes tyre janë edhe dy shqiptarë.

Nëse pak ju thonë emrat e Aleks Burrelit dhe Durim Gremaj, mund të jetë shumë normale. Por nuk është kaq normale për Europolin. Burreli dhe Gremaj janë dy prej personave më të kerkuar nga ky shërbim policor europian për muajin dhjetor. Vetëm pak ditë më parë, faqja zyrtare e Europolit ka bërë publike listën e personave më të kërkuar në BE.

Mes tyre, sapo hap faqen, spikasin emrat e Aleks Burrelit dhe Durim Gremajt. Bashkëngjitur me fotot e personave më të kërkuar për dhjetorin nga Europoli janë dhe skedat e krimeve të tyre. Skeda e Aleks Burrelit, është më e vonë në raport me shqiptarët e tjerë të kerkuar ndërkombtarisht. Ajo të çon në fundin e qershorit të këtij viti, kur Aleks Burreli, 48 vjeç, dyshohet se mori pjesë në një ngjarje të rëndë të ndodhur në Qipro.  Rreth orës 22:10 të datës 23 qershor, në Agia Napa.

I kërkuari dyshohet se ka hyrë brenda në një restorant dhe ka qëlluar duke lënë të vdekur pronarin, një oficer policie dhe gruan e tij. Krimi ndodhi në sytë e fëmijëve të mitur të çiftit të vrarë. Në ngjarje mbeti i plagosur dhe nje oficer policie, ndërsa pas saj Aleks Burreli dyshohet se ka ekzekutuar bashkëpunëtorin e tij në krim.

Ai u largua nga vendngjarja me një makinë e cila më pas u gjet e djegur, por autoritetet hetimore greke dhe ato europiane dyshojnë se Burreli mund të ketë kryer dhe vrasje të tjera për llogari të krimit të organizuar. 

Pa vrasje fizike, por me dëme të mëdha psikologjike shkaktuar viktimës së tij, rezulton skeda e shqiptarit tjetër më të kërkuar nga policia europiane.

Durim Gremaj është i shpallur në kërkim pasi dyshohet se ka shfrytëzuar forcërisht për ushtrim prostitucioni një grua me të cilën kishte patur raport. Ai është shpallur në kërkim nga autoritet holandeze, pasi dyshohet se në Holandë dhe në Spanjë ka detyruar të renë të ushtrojë prostitucion.

Europol dyshon se shqiptari Durim Gremaj mund te jetë aktualisht në Spanjë ose në ndonjë vend tjetër europian. 43 vjeçari shqiptar njihet nga Europol dhe me emrat Arben Braka, Elton Gremaj, Durim Gremi apo dhe me pseudonimin Kalle.

Në listën e personave më të kërkuar nga Europol për muajin dhjetor ka edhe shtetas shqiptarë nga Kosova.

Article Logic
Execution time: 0.0035998821258545