INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Euxhen Hasanaj, djali i medaljeve që do të bëjë kompjuterat ''të flasin''

Euxhen Hasanaj, djali i medaljeve që do të bëjë kompjuterat ''të flasin''

Publikuar më: 14:15 22-09-2019

Euxhen Hasanaj nuk ka konkurrent. Medaljet e marra prej tij janë të shumta. Nga Olimpiadat e zhvilluara anë e mbanë Europës, ai ka çuar në shtëpinë e tij në Tiranë shumë medalje dhe çmime të pafundme të marra nga garat në Matematikë, Informatikë dhe Kimi.

“Kurioziteti dhe ideja që mund ta kaloja jetën time pa i ofruar asgjë të re shoqërisë gjithmonë më ka frikësuar”, rrëfen ai gjatë bashkëbisedimit.

Një përkufizim i tillë për jetën e shtyn të riun të lindur në Berat të kërkojë përtej të njohurës. Ai synon ti bëjë kompjuterat të “flasin” me njeriun.

Sot Euxhen Hasanaj është 23 vjeç. Ka studiuar njëkohësisht në dy universitete, në Shkenca Kompjuterike (Computer Science) dhe Matematikë në Universitetin Amerikan në qytetin Blagoevgrad të Bullgarisë me 80% bursë.

Gjatë kësaj kohe ka punuar si “Deep Learning Engineer”, një degë e inteligjencës artificiale. Puna e tij ishte vetëm një ndalesë që ai ka vendosur ta cojë edhe më tutje, duke marrë edhe disa mësime nga kontineti tjetër. Ai atualisht do të nisë masterin në universitetin “Carnegie Mellon” në SHBA, për “Machine Learning”. Nëpërmjet kësaj dege mëson si të ndërtosh algoritme të cilat do të bëjnë pajisjet kompjuterike të kenë një mënyrë tjetër të funksionuari, të bëhen inteligjente e me ura komunikimi me njerëzit. Universiteti “Carnegie Mellon” është shkolla numër një në botë për Machine Learning dhe në këtë degë shancet që të pranohesh janë 4%.

euxhenishkoll.jpg

“Të mësuarit e mi, si gjatë gjimnazit edhe tani në Kolegj, është ndarë në dy pjesë. Për sa i përket mësimeve të shkollës i kushtoja një sasi të vogël orësh në ditë, rreth 1 ose 2 orë. Pjesa që më hante më shumë kohë ishte të mësuarit e temave jashtë-shkollore, për shembull, matematikë e avancuar, programim etj, dhe gjithçka tjetër e cila më ngjallte interes”, thotë i riu i lindur në 1996.

Euxheni e ka mbaruar shkollën e mesme në Tiranë, në gjimnazin “Ismail Qemali”. Askush nuk i vë në dyshim aftësitë e tij prej gati një gjeniu.

Medaljet

Euxheni është një nga 6 nxënësit shqiptarë që arritën të merrnin pjesë në Olimpiadën Botërore të Matematikës të vitit 2015, e cila u zhvillua në Tajlandë. Ky është një eveniment që gjimnazistët shqiptarë arritën ta preknin duke nisur që nga viti 2014. “Pasi kalova fazat e gjimnazit, rajonit, kombëtares dhe fazën përzgjedhëse për të gjitha vitet u kualifikova për të shkuar në Olimpiadën Botërore të Matematikës.”

Ai tregon se mbështetja e tij financiare për të shkuar atje u bë e mundur nga dy kompani të mëdha Shqiptare. Kjo ndihmë ekonomike erdhi nga një dalje publike që Euxheni bëri në emisionin “E diela Shqiptare” ku pas prezantimit të tij, këto dy kompani u ofruan ta mbështesnin.

Prindërit kanë qenë suporti i tij më i madh. Në momentin që ai ishte pjesë e Olimpiadës Botërore të Matematikës ai rrëfen se familja e tij ka qenë në ankth.

“Ata ishin më shumë të merakosur për gjendjen time emocionale sesa për çmimin që do merrja. Kur i njoftova për rezultatet, ishin tejet të lumtur.”

Çmimi që ai arriti të merrte në Olimpiadën Botërore të Matematikës në vitin 2015, ishte “Çmim Nderi (Honorable Mention)”.

olimppi.png

Por, nuk u ndal me kaq! Këtë vit mori pjesë në Olimpiadën Botërore të Matematikës për Universitetet dhe fitoi vendin e dytë duke marrë një medalje argjendi. Olimpiada Botërore e Matematikës për Universitetet këtë vit u organizua nga Universiteti Kolegj i Londrës (UCL). Olimpiada u krye në Bullgari nga data 28 korrik deri në 3 gusht, ku mirëpriti 360 studentë nga 180 universitete të botës. Përveç olimpiadave të Matematikës, ai ka marrë pjesë dhe në rreth 20 olimpiada Informatike dhe Kimie.

Euxheni ka fituar çmimet e para, të dyta dhe në disa prej tyre të treta, por asnjë herë nuk është kthyer në Tiranë pa medalje.

Prej 14 vitesh ai ushtron dhe pikturën si një nga pasionet e tij më të dashura. Ai thotë se piktura i jep botëkuptim tjetër të gjërave.

“Unë i kam ushtruar talentet e mia vazhdimisht, si pikturën ashtu dhe informatikën dhe sidomos për pikturën jam i lumtur që e kam bërë pjesë të jetës time pasi më ka dhënë dhe një këndvështrim tjetër për botën, ndryshe nga shkencat”, rrëfen 23-vjeçari.

Por, Shqipërisë duket se do i mungojë një talent si Euxheni. Shqipëria ka mundësi të kufizuara për të. “Akoma nuk e kam vendosur a do të kthehem në Shqipëri. Por, nëse vendos të vazhdoj profesion si researcher, duke qenë se në Shqipëri fakultetet nuk merren me punë kërkimore, me shumë gjasa do jem diku tjetër”.

Por, me siguri ai do e mbajë lartë imazhin e vendit tonë kudo që do vendosi të shkojë.

Përgatiti Kejsi Lama

Article Logic
Execution time: 0.0035338401794434