Ndeshja Francë-Rumani do të çelë edicionin e 15-të të Europianit, turne që historikisht ka qenë kompeticion i surprizave.
Kampionati Europian do të nisë sot në orën 21:00 me ndeshjen e parë, që do të jetë mes Francës organizatore dhe Rumanisë në stadiumin “St-Denis”.
Ceremonia e hapjes së kampionatit do të nisë që në orën 20:00, me himnin e kampionatit Europian, që do të këndohet nga David Gueta.
Gjithashtu në fushë do të jenë edhe rreth 150 valltarë, ndërsa forcat ajrore të Francës do të dhurojnë spektakël në qiellin mbi stadium.
Natyrisht që nuk do të mungojë edhe kulla “Eifel”, simboli i Parisit dhe Francës e cila do të ngrihet në mënyrë simbolike brenda impiantit.
Pas ceremonisë e cila parashikohet të zgjasë 45 minuta, fusha do t’i takojë lojtarëve të dy skuadrave.
Por, ajo që ekziston më shumë në Francë sot është frika nga aktet terroriste. Autoritet vendase kanë marrë të gjitha masat dhe pritet të jenë në gatishmëri të plotë gjatë gjithë kohës, për të shmangur çdo incident.