INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
F1 ndërron pronar, “Liberty Media” e blen për 8.5 miliardë $

F1 ndërron pronar, “Liberty Media” e blen për 8.5 miliardë $

Publikuar më: 09:33 08-09-2016

Tashmë është zyrtare: Bernie Ecclestone ka shitur te kompania amerikane “Liberty Media Group” gjysmën e aksioneve të tij në Formula 1, që përkojnë me 18.7%, duke futur në xhep plot 4.4 miliardë dollarë. Ndërkohë që brenda 6 muajve në vijim, ai do të arkëtojë edhe 4.1 miliardë dollarë, për të shitur përfundimisht 35% të aksioneve që shoqëria e CVC zotëron. Lajmin e kanë konfirmuar sot si Ecclestone ashtu dhe pronarët e rinj, duke nisur kështu një epokë të re në sportin e Formula 1.

Pavarësisht këtij kalimi, 84-vjeçari Ecclestone do të qëndrojë në detyrën e Administratorit të Deleguar, ndërsa Chase Carey do të emërohet së shpejti në postin e presidentit të Formula 1. Brenda marsit të vitit të ardhshëm pritet që ky operacion gjigand financiar të mbyllet dhe për sportin e garave të shpejtësisë të nisë një kapitull i ri. President i kompanisë “Liberty Media Group” është manjati John Malone, që tashmë do të ketë edhe komandën e Formula 1 në dorë.

Ky kalim i pronësisë të Formulës 1 nga CVC te Liberty Media shihet me një lloj optimizmi në ambientet e këtij botërori. CVC shpesh është kritikuar se ka përfituar më shumë se ç’duhej nga ky sport duke bërë që në vitet e fundit Formula 1 të ketë një rënie në audiencën e saj televizive. Dominimi i Red Bullit dhe më pas ai i Mercedesit ka bërë që garat e Formulës 1 të jenë të parashikueshme.

 

 

Article Logic
Execution time: 0.003896951675415