INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Fakte të reja mbi akuzën e ngacmimit seksual të drejtorit të shkollës së Beratit

Fakte të reja mbi akuzën e ngacmimit seksual të drejtorit të shkollës së Beratit

Publikuar më: 08:50 29-05-2017

Zbardhen të tjera detaje nga ndalimi i Y. Hajdarajt, drejtorit të shkollës së mesme “Babë Dudë Karbunara” në Berat.
Drejtori është akuzuar se ka ngacmuar seksualisht dy nxënëse. Dyshohet se ngjarja ka ndodhur të mërkurën, gjatë kohës kur dy vajzat ndodheshin në zyrën e drejtorit për shkak të një provimi të prapambetur.
Si mësues i lëndës së gjeografisë për vitin e dytë, përkatësisht në klasat e 11-ta, drejtori sipas Panorama, mësohet se u kishte dhënë mundësinë dy nxënëseve që të jepnin provimin e fundit që nuk e kishin kryer ende. Për të bërë provimin drejtori i kishte marrë dy vajzat në zyrën e tij dhe u kishte dhënë tezat e zhvillimit. Pikërisht gjatë kohës që kanë qenë duke zhvilluar provimin, nxënëset kanë akuzuar drejtorin se ky i fundit i kishte ngacmuar seksualisht. Ndërkohë që sipas dëshmisë së njërës prej vajzave, e njëjta situatë kishte ndodhur me të edhe një muaj më parë, kur 59- vjeçari e kishte prekur ndërsa kalonte në korridorin e shkollës.
Menjëherë sapo kanë përfunduar provimin, nxënëset kanë shkuar në Drejtorinë Arsimore në Berat, ku kanë kërkuar të konsultohen për të denoncuar rastin.
Një psikologe e DAR është vënë menjëherë në dispozicion të vajzave dhe sapo është mësuar se bëhej fjalë për ngacmim, i pretenduar seksual nga një drejtues shkolle, është bërë denoncimi në polici.
Në prezencë të psikologes dhe të prindërve vajzat kanë denoncuar drejtorin se i kishte prekur në pjesë të ndryshme të trupit, herë njërën e herë tjetrën. Policia është duke hetuar në lidhje me ngjarjen, ku përveç vajzave mësohet se janë pyetur familjarët e tyre, disa nxënës të tjerë të shkollës dhe kolegë të drejtorit.
Policia në pistat e hetimeve nuk ka përjashtuar as mundësinë e një ngjarjeje të trilluar nga vetë nxënëset, gjë e cila mbetet për t’u hetuar tashmë. Lajmi për ndalimin e drejtorit ka tronditur gjithë kolegët, por dhe nxënësit e tjerë të shkollës. E ndërsa kolegët e Hajdarajt kanë pasur reagim të prerë duke mos u prononcuar dhe lënë në dorë të hetimeve zbardhjen e së vërtetës, nxënës të shkollës shprehen se drejtori kurrë më parë nuk kishte shfaqur sjellje të tilla.

Article Logic
Execution time: 0.0021209716796875