INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
IN BLOG - Faleminderit Nënë: Ato që kurrë nuk t'i kam thënë!

IN BLOG - Faleminderit Nënë: Ato që kurrë nuk t'i kam thënë!

Publikuar më: 10:38 26-09-2017

Edhe pse me të vërtetë janë epiqendra e ditëve tona, shpesh neglizhojmë, nuk ua shprehim sa duhet dashurinë, e marrim për të mirëqenë ndihmesën e praninë e tyre.

Sot u desh të zgjohesha herët, të mbyllja nxitimthi angazhimet e punës e të rendja për në shtëpi për të patur kohë të përgatisja drekën përpara se im at dhe vëllai të ktheheshin nga puna. Provova një recetë të re për supën turke të kosit. Nuk ia qëllova! Doli për ibret e mu deshën rreth dy orë për ta sjellë në formë. Pastaj pastrova shtëpinë, e uji që vjen ose nuk vjen prej më se tre javësh ma vështirësoi punën. Pas orësh përkushtim, i mbarova të gjitha e mbaja era qepë, djersë e detergjent. Bëra një dush e nuk pata kohë për asgjë tjetër.

Vëllai e babi erdhën më vonë. Nuk ju ra në sy asnjëra nga këto. Mirë që patën ngrënë e nuk u desh të hanin nga supa ime, se do më kishte ardhur turp, e inat nëse do të rrudhnin buzët. E më shkoi mendja tek nëna! Kur u largua, iku e mërzitur për se me shaka i pata thënë se për ditët që do të ishte në Berat, do të isha pak më e liruar nga kritikat e saj perfeksioniste.

Ah nënë!

Jemi kaq të ngarkuar nga streset tona të përditshmërisë sa nuk e vëmë re përkushtimin mundin e pasionin që të duhet në çdo ditë tënden. Për nga kur e mbaj mënd, e ndoshta më herët akoma, çdo ditë e jotja është maratonë!

Ti zgjohesh herët, punon prej dekadash me pasion. Fëmijët ndonjëherë të lodhin, por dashuria për tu mësuar atyre shkrim e këndim, për të dhënë impaktin maksimal që një mësues i fillores duhet të ketë në jetën e filizave të rinj të bën të vazhdosh edhe me më tepër forcë. E për breza e breza me radhë, një pjesë e mendimeve të tua është me jetët e tyre, në se si të nxënë sa më mirë; e historitë e tyre të dashura mbetin në zemrën tënde e në familjen tonë.

Pastaj jemi ne. Sa shumë të kemi lodhur!

E di që do mund të ishe bërë shumëçka në jetë, por me lumturi më thua se kjo është ajo çfarë ti ke dashur e për të cilën ke luftuar më fortë. Një familje të cilës nuk i ka munguar kurrë ngrohtësia, ndjenja e unitetit, pastërtia, të ardhurat për një jetë të mirë, era e këndshme e ushqimit të shijshëm që me dashuri e gatuan çdo ditë, mirësia në zemër e harmonia e paqja.

Mërzitem ngandonjëherë, kur vazhdimisht më kritikon e je kërkuese ndaj meje. E për çdo herë dal në konkluzionin se, nëse do e bëja sipas mënyrës tënde, më mirë do të shkonte çdo gjë.

E di që jemi ndryshe. Ti je e qetë, e matur, e vendosur, e unë.. nuk kam qenë fëmija më i thjeshtë që dikush mund të ketë! Gjithnjë me dëshirën për të evidentuar individualitetin, kreativitetin, me dëshirën për të eksperimentuar e provuar shumë. Sot dal në konkluzionin se po, ti përherë i ke kuptuar këto të gjitha, vetëm se shikoje shumë hapa përpara meje.

E të qenurit një nënë shqiptare pastaj, ta shumëfishon mundin! Nuk e kuptoja më parë se pse i kufizoje aq shumë qejfet e tua, se pse ishe kursimtare, shumë. Sot e di se ti dhe babi e keni nisur gjithçka nga e para. Si plaçkë vetëm intelektin, urtësinë e respektin për njeri tjetrin.

Nuk e di nëse do arrij ndonjëherë të jem aq e mirë sa ti. Si amvisë, si bashkëshorte, si nënë. Di vetëm se edhe pse nuk ta shpreh kurrë sa duhet, të jam thellësisht mirënjohëse. Përherë. Je aty për të më mbështetur në çdo hap timin. Je një burim i pashtershëm e i paluhatshëm dashurie të pakushtëzuar(dhe kritikash konstruktive :'D).


Të dua shumë.
Dhe e di që nesër, shembulli im do të jesh përherë ti. Me të gjithë frymën e kujdesit, dashurisë, pastërtisë, përkushtimit që më ke mëkuar.

Për të gjitha herët që nuk ta kam thënë:

Faleminderit!

 

nga Aureola Buzi

Article Logic
Execution time: 0.0034668445587158