INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Fatmir Xhafaj: 40 grupe të strukturuara kriminale veprojnë në Shqipëri, javën tjetër do ketë arrestime

Fatmir Xhafaj: 40 grupe të strukturuara kriminale veprojnë në Shqipëri, javën tjetër do ketë arrestime

Publikuar më: 22:06 15-02-2018

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj është shprehur se në vendin tonë, veprojnë 40 grupe kriminale, me aktivitete që shkojnë që nga vjedhjet dhe trafiqet, e deri te pengmarrjet dhe vrasjet. Ministri deklaroi në emisionin “Opinion” se është hartuar një raport studimor, i cili ka realizuar profilin e këtyre grupeve kriminale, veprimtarinë e tyre, numrin e pjesëmarrësve, si dhe një hartë të veprimtarisë së krimit të organizuar në Shqipëri. Sipas tij, ekspertët kanë skeduar rreth 40 grupe kriminale që veprojnë në 12 qarqet e vendit.

“A e dini sot ju sa ka të regjistruara grupe të strukturuara kriminale Europoli në Europë? 5000 grupe dhe 60% e anëtarëve të këtyre grupeve janë shtetas të vendeve anëtare të BE-së. Shtetas të vendeve anëtare të BE-së. Në Shqipëri sipas standardit të Europolit, nuk do ta kalonin 15 të tilla, kurse sipas kritereve që kemi vendosur ne për efekt të vlerësimit të rrezikshmërisë shoqërore në nivel kombëtar dhe në nivel lokal, janë 40 grupe të tilla. Nuk janë grupe të strukturuara në nivelin e një organizate kriminale”, deklaroi Xhafaj.

“Nga skanimi i grupeve kriminale rezulton se 53 % e tyre merren me kultivim dhe trafikim narkotikësh, 11 % me trafiqe të paligjshme, 18 % me krime të rënda si vrasje dhe pengmarrje, dhe 18 % me krim ekonomik”, tha më tej ministri Xhafaj.

Pas deklaratave se në Shqipëri veprojnë rreth 40 grupe kriminale, ministri i Brendshëm Xhafaj tha në studion e “Opinion” se javën e ardhshme do të ketë një sërë arrestimesh që lidhen me grabitjen dhe tjetërsimin e pronave publike në vend.

“Prokuroria e Përgjithshme ka përfunduar një sërë hetimesh dhe javën që vjen do të nisin gjyqet për disa persona. Kemi disa çështje penale, në bashkëpunim me Prokurorinë, në rrethet Kavajë, Durrës, si dhe ka një proces hetimi në Lezhë, por do ta shtrijmë në Vlorë dhe gjithë vijën bregdetare”, deklaroi ministri.

Article Logic
Execution time: 0.0033378601074219