Klubi i divizionit të dytë në Irlandë, Athlone Taun, po hetohet nga Federata Irlandeze e Futbollit për trukimin e ndeshjes me Longord Taun.
Sinjali ka ardhur nga Federbet, teksa raportohet se janë luajtur shumë ta mëdha për këtë ndeshje dhe lëvizja e koeficienteve ka qenë jo normale, ku në minutat e fundit koeficienti ishte më i vogël për të shënuar sesa që të mos kishte gol.
Policia dhe federata e këtij vendi po hetojnë përballjen, për të cilën u luajtën rreth 400 mijë euro baste se do të kishte më shumë se tre gola.
Goli i dytë i takimit lë shumë për të dyshuar, me portierin mik që nuk e kontrollon topin pas ekzekutimit të një goditje dënimi. Për këtë ndeshje UEFA ka lajmëruar Federatën Irlandeze, ndërsa kjo e fundit policinë. Të henën pritet të nisë edhe marrja në pyetje e stafit dhe lojtarëve.
Në lidhje me këtë ndeshje, drejtori i Federbet, Françesko Baranka, u shpreh: “Aktiviteti në këtë ndeshje ishte i dyshimtë. Ishim të sigurt që diçka nuk shkonte sipas algoritmeve tona. Provat ishin më se të mjaftueshme. Jam i shokuar që diçka e tillë ndodh në Irlandë, pasi nuk ka qenë traditë. Unë flas për shifrat dhe ato janë të qarta. Monitoruam koeficientet dhe ishte çmenduri. Nuk kam asnjë dyshim se ishte e trukuar”.
Ndërkohë UEFA në raportin e saj shkruan: “Ekzistojnë prova të qarta që kjo ndeshje u ndikua padrejtësisht me qëllim përfitimin e parave nga kompanitë e basteve. Dallohet qartë se bastvënësit kishin dijeni se Athlone do të humbte minimalisht me dy gola diferencë dhe do të shënoheshin të paktën katër gola”, thuhet ndër të tjera në raport, ndërkohë që portieri letonez Labuts është shprehur se është i pastër.