Fotot e tregojnë qartë që fëmijët e kopshtit 26 janë më të qeshur, pasi vatra e tyre edukative ka marrë pamje më të bukur. Pra atë që shpresonin fëmijët dhe prindërit e tyre, kreu i Bashkisë, Erjon Veliaj ua realizoi. Të vegjlit e kopështit, “Diell”, kanë ambjente totalisht të restauruara dhe një park lojrash.
Në një vizitë tek kopshti nr. 26 me emrin Diell, Veliaj iu tha se në Diell, do të shkëlqejë një ditë e mirë, një ditë e re për të gjithë fëmijët, pas restaurimit.
“Tani që rikonstruksioni i kopshtit mbaroi, duket se ç’punë e paqme është bërë këtu. Ky është kopshti i 10 nga 23 kopshtet e Tiranës që jemi duke i rikonstruktuar”, tha kreu i Bashkisë Tiranë.
Veliaj theksoi se bashkia do të punojë gjithë verën që edhe kopshtet e mbetura të jenë gati në shtator.
Sipas tij kanë mbetur edhe 13 kopshte deri sa të vijë 1 shtatori dhe kur fëmijët të jenë rikthyer nga pushimet do t’i gjejnë gati.
“Për Bashkinë e Tiranës nuk do të ketë pushim gjatë kësaj vere, por do të punojmë me turne që edhe 13 kopshtet e fundit që na kanë mbetur t’i përfundojmë deri në shtator, në mënyrë që kur princat dhe princeshat e Tiranës të kthehen nga pushimet, të kenë mundësi të mësojnë në kopshte moderne”, tha ai.
Veliaj shtoi se Tirana ka kopshtet më të mira publike në vend. Ndërsa solli në vëmendje se vetëm për kopshtin nr. 26 kanë bashkëpunuar 10 kompani private që ai të merrte këtë pamje krejt të re dhe i falenderoi donatorët bujarë.
“E çmojmë jashtë mase punën tuaj. Kur prindërit lënë fëmijën e tyre këtu, na kanë besuar gjënë e tyre më të shtrenjtë dhe besoj se është në dinjitetin tonë që gjënë e tyre më të shtrenjtë ta trajtojmë me dashuri, me respekt, dhe me gjithë mbështetjen që mund të ofrojmë në kopshtet e Tiranës”, mbylli fjalën kyebashkiaku i Tiranës.