INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Fenomeni Instagram dhe ato që marrin klikimet me b***

Fenomeni Instagram dhe ato që marrin klikimet me b***

Publikuar më: 11:56 07-04-2017

Reflektim nga Gerta Heta

Sot një femër i shpëtoi mrekullisht vdekjes, pasi ra nga ura më e lartë e Kalifornisë, e gjithë kjo në përpjekje për të nxjerrë "foton perfekte" në Instagram. Të rinj që flirtojnë edhe me vdekjen për hir të marrjes së aprovimit në formën e like-ve nga të tjerët si; më i/e shkathti/e, më i/e shpejti/e e më i/e bukur/a. Kjo është ana ekstreme e çështjes, por le të ndalemi në një anë tjetër negative; si po e nxisin rrjetet sociale narcizizmin?

Sipas një studimi të fundit përdoruesit e flaktë të Instagramit, kërkojnë me këmbëngulje vëmendjen e të tjerëve e nisur nga kjo ata ndjekin me fanatizëm miratimin dhe reagimin e bashkëmoshatarëve.

Në një sondazh ku u përfshinë 10.000 të rinj u zbulua se 64% e tyre besonin se në Instagram bëhej shfaqja (performanca) më narciziste, krahasuar me rrjetet e tjera sociale. Të gjithë i dinë problemet psikologjike që shfaq një narcizist dhe sa dëmton ky lloj personaliteti, jo vetëm veten por edhe ata përreth duke instaluar në mendjen e rrethit të tij të ndjekësve një imazh që fatkeqësisht është i gënjeshtërt. Narcizisti nuk gënjen vetëm veten por edhe ndjekësit e tij. Sjell në vëmëndje që në thelb të tij një narcizist nuk është gjë tjetër vetëm se një personalitet i mbushur me pasiguri të panumërta, në kërkim të përhershëm të miratimit të të tjerëve, që ai/ajo qëndron mbi ndjekësit, te ashtuquajturit followers. Mjafton të shohësh se si një narcizist irritohet e nuk pranon asnjë lloj kritike ndaj personit të tij.

Ndalemi pak tek ai element i paçmuar që shpërdorohet pa fund gjatë përdorimit të rrjeteve sociale e konkretisht Instagramit, kohës! Për të nxjerrë foton më të mirë në Instagram, gjithmonë, të rinjtë përzgjedhin mes 100-ra të tillave. Sa punë të tjera të vlefshme mund të mbaroheshin gjatë një fotosesioni të tillë?! Sa e kanë orarin zyrtar këta, të cilëve u del koha për të ndërruar tre apo katër veshje e bëre make-up gati-gati skenik?! Nuk do shumë studim për të dalë në këtë konkluzion, veç një navigim të shkurtër në Instagram: Të gjithë personazhet më të ndjekur të rrjeteve sociale, (dhe këtu nuk po flas për klanin Kardashian por për fenomenet tanë të Instagram-it), kanë shumë kohë të lirë, për të mos thënë që ekspozimit të fotos perfekte i vendosin ditën në dispozicion. Shumica janë kategoria që nuk u ka thënë kush deri më sot “puna e mbarë”. Kjo kategori ndahet në dy nënkategori; ata që kanë prindërit apo burrat "Boss-a" dhe bravo i qoftë se i ka rënë për pjesë, dhe kategoria e vajzave me të pasme e gjoks të bukur. Kush mendon që nuk i ka të bukura, e gjeni në palestër duke bërë squats :). E kanë kuptuar të gjitha se me “byçka” të bukura mund të marrësh shumë klikime në Insta. Për pasoje, më shumë “like” e “followers”, më shumë oferta nga çunat e bukur e ata me lekë, pra e përkthyer ndryshe, më shumë mundësi zgjedhjesh për nënkategorinë e dytë.

Çështja është ku po shkon brezi i ri, përfshi këtu edhe fëmijët e mi?! Ç'mesazh transmetojnë këto katalogjet e vitheve e gjokseve "perfekte"? E vendos fjalën perfekte në thonjza sepse unë mendoj që të gjithë jemi perfektë në mënyrën tonë. Dikush i gjatë, dikush i shkurtër, dikush i kolmë e dikush elegant, dikush bjond e sy kaltër e dikush zeshkan e sy zi. Mëmës natyrë nuk i pëlqen monotonia por harmonia e kur na krijoi qëllimisht nuk përdori opsionin "copy - paste". Hidhni një sy rreth e rrotull, po humbet identiteti personal e po e rindërtojmë botën sipas modeleve të imponuara nga Instagram.

Një gjë është e sigurt, derisa të kenë model si ky që kanë tani në rrjete sociale veçanërisht në Instagram, model që ngre në piedestal fasadën e vithet, keq puna!

Article Logic
Execution time: 0.003972053527832