INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Finalizohet projekti i parë pilot, për rehabilitimin e sheshit të fshatit Qeha. Veliaj: “Mini-rilindje urbane brenda Bashkisë së Tiranës”

Finalizohet projekti i parë pilot, për rehabilitimin e sheshit të fshatit Qeha. Veliaj: “Mini-rilindje urbane brenda Bashkisë së Tiranës”

Publikuar më: 11:37 20-08-2017

Kryebashkiaku Erjon Veliaj inspektoi përfundimin e punimeve, për rehabilitimin e sheshit të fshatit Qeha në Njësinë Administrative Petrelë. Veliaj, deklaroi se projekti i suksesshëm “Rilindja urbane” e qyteteve të Shqipërisë po shtrihet edhe në qendrat e fshatrave të Bashkisë së Tiranës, ku krahas rregullimit të qendrave urbane do të punohet edhe për përmirësimin e infrastrukturës në zonat rurale. Rehabilitimi i sheshit të fshatit Qeha është projekti i parë pilot i Bashkisë së Tiranës, nga i cili përfitojnë rreth 900 banorë të kësaj zone, që tashmë kanë një mjedis çlodhës për aktivitete të ndryshme social-kulturore. Për rehabilitimin e sheshit “Qeha” Petrelë, është bërë sistemimi dhe asfaltimi i rrugës ekzistuese, ndërtimi i kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza, të cilat mungonin totalisht, si dhe kompletimi me rrjetin e ndriçimit. Gjithashtu, janë ndërtuar zona me gjelbërim dhe pemë të larta dhe ambiente çlodhëse.
“Sot kurorëzojmë një projekt pilot, i cili është frymëzuar nga projekti i kryeministrit për Rilindjen Urbane. Menduam se mund të kishim një mini-rilindje urbane brenda Bashkisë së Tiranës, ku siç kemi bërë me sheshin “Skënderbej”, mund të punojmë me të gjitha sheshet e fshatrave tona. E filluam në Qeha, një fshat simbol, me një klimë fantastike, që gjithashtu po popullohet nga qytetarë të rinj që zgjedhin të jetojnë në fshat për t’iu larguar trafikut dhe zhurmës së Tiranës”, tha Veliaj. Ai deklaroi se ky projekt i suksesshëm do të shtrihet edhe në fshatrat e tjerë të kryeqytetit. “Kjo na inkurajon që të vazhdojmë me projekte të tilla në të gjithë fshatrat e Tiranës. Siç patëm këtë eksperiment të parë të suksesshëm, shpresoj të vazhdojmë në fshatra të tjerë. Ashtu si qeveria qendrore ka punuar me qendrat e qyteteve, të shohim si mund të riprodhohet ky sukses në të gjithë qendrat e fshatrave të Tiranës”, theksoi ai. Kryebashkiaku u shpreh se investime të tilla synojnë që të rikthejnë jetën në fshat edhe në ato zona, të cilat ndodhen larg rrugëve kryesore. Duke siguruar se projekti i radhës do të jetë rehabilitimi i fshatrave të tjerë të njësisë administrative të Petrelës, Veliaj siguroi se Bashkia e Tiranës do të garantojë shanse të barabarta për të gjithë të rinjtë, si në qendër, ashtu edhe në zonat rurale të kryeqytetit.

Article Logic
Execution time: 0.0036630630493164