Dita e djeshme ishte ditë vlerësimi për shumë nga artistët shqiptarë. Ata u dekoruan nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, me titullin “Mjeshtër i madh” . Të nderuar nga ky titull, ata dhanë edhe përshtypjet e para përmes emocioneve kur shohin se puna e tyre vlerësohet. Rozana këtë herë nuk na ka emocionuar me ndonjë tekst kënge të shkruar nga ajo vetë por me një status ku shprehet se ndihet e vlerësuar për çmimin si dhe mjaft falënderuese. Pa harruar të përcjellë edhe emocionet e pastra dhe falënderimet për dy prindërit dhe xhaxhain Françesk Radi të cilët edhe atje lart janë ndjerë shumë krenarë për Rozin.
“Mbrëmë në një natë tepër të rëndësishme për mua,
Presidenti i Republikes Sh.T. Z. Bujar Nishani, me akordoi urdhrin "Mjeshter e madhe". Shume e nderuar me kete vleresim, i cili merr nje tjeter dimension kur gjendesh mes kolloseve te artit dhe kultures shqiptare.
Faleminderit për vlerësimin z. President!
Falenderimi është për Zotin dhe familjen time.Prindërit e mi të cilët më rritën me besimin e madh për artin dhe kulturën. "Bëj punën qe dashuron dhe do të duket sikur nuk ke punuar asnjë ditë" . Familjen time të dytë, Françeskun dhe Teftën të cilët ishin kitikët më të mirë të rrugëtimit tim artistik. Motrën time Andeta @andetaradiok barometri i jetës sime. Njeriut që kam zgjedhur të jetoj pjesën tjetër të jetës i cili shpesh më thotë se në jete nuk duhet të mundohesh të bëhesh njeri i suksesshëm, por më mirë të bëhesh i vlefshëm. Bashkëpunëtorëve të mi të cilët janë më të mirët që kam njohur. Shoqërisë sime të cilët kanë suportuar Rozin artiste, Rozin rebele, por më shumë Rozanën njerëzore. Dhe në fund publikun tim që emocionohet bashkë me mua. Që përjeton çdo gëzim artistik timin. Ju përulem i dashur publik për gjithçka më keni dhënë në këto vite. Ju më keni drejtuar në zgjedhjet e mia me ta pastra.
Me shume respekt Rozana Radi”.
Gjithashtu edhe aktori Jul Deda ka shprehur emocionet e tij pas marrjes së çmimit. “Ndonjëherë titujt shërbejnë edhe si shtysë, jo vetëm si realizim. Meqë e morëm, duhet ta shfrytëzojmë për mirë dhe akoma më mirë që e morëm në moshë të re. Kjo është një shtysë për t’u formuar akoma më mirë për të ardhmen. Çmimet dhe titujt duhet të jepen në kohën e duhur”, është shprehur Juli.