Bashkëshorti i Fjolla Morinës, Fisnik Syla, ka thyer heshtjen pasi Gjykata Themelore e Prishtinës vendosi masën e sigurisë 40 ditë paraburgim për këngëtaren me dyshimin për trafikim me armë dhe arratisje nga vendi i paraburgimit. Ai ka reaguar për herë të parë përmes një postimi në InstaStory. Teksa ka ndarë një foto nga ceremonia e dasmës së tyre në Maldive, ai shkruan: “Përgjithmonë bashkë, çdo herë me ty dhe për ty shpirti im… do ta kalojmë këtë sfidë dhe do të na mbetet si një ëndërr e padëshiruar. Jam i bindur se drejtësia do të fitojë dhe pafajësia e jote do të vërtetohet. Të dua sot dhe përgjithmonë jeta ime”.
Masa e sigurisë për Fjollën llogaritet prej ditës kur ajo është arrestuar, më 19 Korrik. Vendimin e mori gjyqtari i procedurës paraprake Agim Kuçi, në prezencën e prokurores Javorka Prilincevic, të pandehurës Fjolla Morina dhe avokatëve të saj, Fehmije Gashi-Bytyqi dhe Fanol Krasniqi. Këngëtarja u arrestua në dyqanin e saj në Prishtinë, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar në 21 prill 2021, një muaj pasi gjykata e Kukësit e dënoi me 6 vite burgim për “trafik të armëve dhe municionit”.