Ambasadori Lu ka folur rreth refuzimit të vizave për prokurorët dhe gjyqtarët. Ai është shprehur se verifikimi i vizës së kryeprokurorit ka qenë e vetmja nismë e ndërmarrë nga Tirana dhe ka qenë një vendim i Konsullates, jo i ambasadorit.
Sipas burimeve të Top Channel, ambasadori Lu ka deklaruar se, pas rastit të Llallës, përfaqësisë në Tiranë i është kërkuar nga Uashingtoni që të verifikohen edhe gjyqtarë dhe prokurorë të tjerë.
“Ky ishte një urdhër dhe unë nuk kisha opsione ta zbatoja apo jo. Për njerëzit që u është hequr viza, kishte dyshime se qëllimi i tyre është të ikin nga Shqipëria bashkë me pasuritë e vëna nga korrupsioni, dhe në Shtetet e Bashkuara nuk e pranojnë këtë”.
Çështja e Reformës në Drejtësi, më saktë zbatimi i saj, vazhdon të mbetet prioriteti kryesor i Shteteve të Bashkuara. Ambasadori Lu ka prekur një nga pikat më delikate të “vetting”-ut, e kundërshtuar nga opozita edhe në Gjykatën Kushtetuese, atë të kontrollit nga qeveria të dy drejtorive kyçe që japin informacion për organet e “vetting”-ut, Drejtoria e Kontrollit të Figurës dhe ajo e Pastrimit të Parave.