Leonel Pontes ishte themelor në karrierën njerëzore dhe teknike të Cristiano Ronaldos. Ai qe trajneri i parë, i ngarkuar me ndjekjen e CR7, kur ishte shumë i ri, në vitin 1997, teksa arriti te Sporting Lisbona.
Jo vetëm kaq, por Pontes kishte detyra delikate për t’u kujdesur për edukimin e Ronaldos shumë të ri, për ta ndihmuar atë në përvojën e parë larg shtëpisë.
Një lloj “tutori”, pjesërisht për shkak se ata ishin të dy me origjinë nga Madeira. Në intervistën e dhënë për “Gazzetta Dello Sport”, ndër të tjera, trajneri i parë i Cristiano Ronaldos ka nënvizuar:
Në çfarë moshe e keni takuar Ronaldon?
Ai ishte 12 vjeç, e kam takuar në ishullin e Madeiras. E pashë për herë të parë në mars 1997, në një turne të futbollit në “Camara de Lobos”. Aty u njoha edhe me kumbarin e tij, i cili më tha se kishte një lojtar me cilësi të mëdha dhe karakteristika unike…
Çfarë përshtypjesh ju la, kur e patë?
Ai ishte një djalë i hollë, si një furçë, por me sy tejet të gjallë. Një profil atleti për moshën e tij.
Fizikisht, si ishte?
Asokohe ishte i vogël, por kishte konstrukt të mirë. Ishte e mjaftueshme për të parë atë në një moment, për t’u bindur se kishte cilësi të shkëlqyera me topin. Për siguri, pyeta disa nga trajnerët e mi për informacion. Askush prej tyre nuk kishte parë një të ri, me një potencial të tillë.
Ndonjë periudhë të errët të tij, mund të na kujtoni?
Ka pasur kohë të vështira, kur ai donte të shkonte në shtëpi. Nuk duhet të harrojmë se në kohën kur ishte vetëm 12 vjeç, ai ishte larguar nga ishulli për në një qytet të madh, Lisbonë, pa asnjë lloj mbështetjeje familjare. Në fund të vitit të parë të stërvitjes, ai kaloi një pushim në shtëpinë e prindërve të mi, në Madeira. Nëna ime më pyeti nëse ai djalë, Ronaldo, do të bëhej futbollist. Unë iu përgjigja se isha i sigurt, Cristiano do të shpërthejë.
Cilin shihni si trajnerin më të rëndësishëm për CR7?
Sigurisht Ferguson, por merita më e madhe është me të vërtetë e tij, e Cristianos. Ai ka një forcë unike mendore, pasion dhe përkushtim në lojë, duke e tejkaluar gjithmonë veten. Kjo e ka bërë atë një fenomen, që kur ishte fëmijë.