Faqja “Vipa e Bllokut” e kthyer në makthin e pjesës dërrmuese të Vip-ave shqiptarë, vazhdon të çudisë akoma.
Kuriozë të paduruar se kush fshihej pas faqes që kishte hapur “kutinë e Pandorës”, personazhet e show-bizzit u sulën për të zbuluar “administratorin”, por nuk qe e nevojshme pasi ai u vetshpall. Bëhej fjalë për Arben Kasemin, dikur banor në reality shown “Kafazi i Artë”, i cili që atëherë komentohej për shoqërinë me disa Vip-a të cilët nëse deri dje ishin miq të tij, sot me siguri janë armiq për kokë. Tipi shumë i hapur dhe i drejtpërdrejtë i Arbenit gjatë punës me faqen, i kushtoi edhe kërcënime për jetën dhe duhet të ketë qenë kjo arsyeja që edhe faqja u mbyll.
Por duket se Arbeni ecën me shprehjen “është më e fortë se unë” ndaj dhe të dielën e kaluar, në një lidhje të drejtpërdrejtë telefonike me emisionin “E Diell” ai ka zbuluar edhe sherrin e radhës në përpjekje për të bërë “detyrën”. I ndodhur në të njëjtin avion me dy këngëtarë, ai tregoi se ishte konfrontuar fizikisht në avion me këngëtarin për të dashurën e tij. Pas insistimit të Albanit për të mësuar më shumë për emrat e personazheve në fjalë, ai i ka zbuluar dhe ato janë as më pak dhe as më shumë se Flori dhe Elvana. Sipas tij, përpjekja për t’i bërë një foto Elvanës së pagrimuar nuk i ka pëlqyer Florit i cili është kthyer menjëherë në mbrojtësin agresiv të këngëtares. Flori, ashtu si çdo vajzë tjetër edhe Elvana nuk ka lindur e grimuar ndaj një foto pa grim e saj nuk mund të jetë temë sherri. Pastaj Elvana është e bukur edhe pa grim. Ku qëndron problemi këtu ?